Lajme

Abazoviç takon Kurtin: Mali i Zi ofron mbështetje për një zgjidhje të përhershme për rajonin


Albin Kurti dhe Dritan Abazoviç

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjersa është në një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut në margjinat e Forumit Ekonomik të Shkupit, është takuar me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Takimin në fjalë e ka njoftuar vetë Abazoviç përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ku ndër të tjera ka përshëndetur homologun e tij për pranimin në parim të Marrëveshjes së 27 shkurtit në Bruksel.

Mali i zi, sipas Abazoviç, ofron mbështetjen e tij të plot për një zgjidhje të përhershme për rajonin.

“Me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin sot fola për lidhjen tonë më të mirë infrastrukturore, idetë e reja dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ne vazhdojmë të trashëgojmë marrëdhënie të mira fqinjësore”, ka shkruar Abazoviç ndër të tjera.

Kosova dhe Serbia të hënën, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parasheh njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore