Lajme

Abazoviç për Gjukanoviç-in: S’ka aftësi ligjore për ta shpërndarë Kuvendin


“Presidenti Milo Gjukanoviç nuk ka aftësi ligjore për të shpërndarë Kuvendin, dhe meqenëse ndjenja e përgjithshme e deputetëve është se ata nuk duan t’u shkurtohet mandati, opsioni i tij i vetëm është t’i japë Milodrag Lekiçit mandatin për të formuar Qeverinë”, tha kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

“Gjithçka tjetër është dhunë ligjore. Ai nuk mund ta shpërndajë Kuvendin, sepse po të mundej do ta shpërndante më 5 dhjetor, 2020 kur u formua Qeveria pas 30 gushtit. Është shumë e thjeshtë”, tha Abazoviç, raporton Vijesti.

Ai tha se Gjukanoviç “pas gjithë asaj që ka bërë”, më e pakta që ka të drejtë të bëjë është “të vazhdojë të na ngacmojë politikisht”.

“Dhe se ai po mundohet të gjejë mënyra për të detyruar dikë të bëjë diçka me ndonjë veprim të kundërligjshëm”.

“Nëse deputetët duan të kenë zgjedhje, ne do të shkojmë në zgjedhje. Nëse ata nuk duan, procedurat dihen. Edhe pse Kushtetuta nuk është plotësisht e saktë, sepse ata që e kanë shkruar kanë menduar se DPS nuk do të largohet kurrë nga pushteti”, shtoi ai.

“Mendoj se Gjukanoviç ka disa letra në duar dhe do të ishte mirë që t’i përdorte në mënyrë korrekte dhe jo të dëmshme”.

Abazoviç theksoi se Gjukanoviç, “nëse do të kishte dëgjuar këshilla me qëllim të mirë”, do të kishte qenë në pension politik shumë kohë më parë.

“Është e drejta e tij legjitime të merret me politikë ashtu siç e mendon. Nuk jam më i ngarkuar, mendoj se gjithçka që duhet të ndodhë do të ndodhë. Ato gjëra që do të ndodhin janë të favorshme për qytetarët, ky është mesazhi im i vetëm. Zgjedhjet presidenciale vijnë së shpejti, ndaj mendoj se situata është mjaft e qartë”.

Gjukanoviç kërkon shpërndarjen e Parlamentit të Malit të Zi

Ndryshe, Gjukanoviç, ka përdorur mekanizmin kushtetues për të shpërndarë Parlamentin malazez.

Ai i ka dërguar një propozim kryetarës së Parlamentit, Danijela Gjuroviç, që t’i shkurtohet mandati legjilsativit, pas dështimit të formimit të një qeverie të re nga ana e shumicës së vjetër parlametnare.

“Në bazë të nenit 84, paragrafit 2 dhe 4 të Kushtetutës së Malit të Zi, po i dorëzoj propozimin për shkurtimin e mandatit të Kuvendit të Malit të Zi kryetares Danijela Gjuroviç”, thuhet në njoftimin e Presidencës, transmeton ‘Analitika’.

Në sqarimin e tij, Gjukanoviç ka theksuar se më 15 dhe 16 shtator të këtij viti ka mbajtur konsultime për të zgjedhur një mandatar për përbërjen e qeverisë me përfaqësuesit e partive parlamentare, përkatësisht koalicioneve të përfaqësuara në Kuvendin e Malit të Zi.

Ai pohon se përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF), Malit të Zi Demokratik (DEM), Partisë Popullore Socialiste (SNP) dhe Lëvizjes Qytetare URA, nuk iu përgjigjën thirrjes për takim.

Por, kryetari i partisë malazeze ‘Aleanca Demokratike (Demos)’, Miodrag Lekiç, ishte zgjedhur mandatar për të formuar qeverinë e re të Malit të Zi.

Ndryshe, deputetët e shumicës së vjetër parlamentare kanë mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, të cilat ia kanë dorëzuar kryetares së Parlamentit.

Në nismën për shkarkim thuhet se Gjukanoviç ka shkelur Kushtetutën pasi siç pretendojnë ata, nuk i ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike në konsultimet për formimin e qeverisë, e as Miodrag Lekiç-in, i cili sipas marrëveshjes së shumicës parlamentare, mori mbështetjen e 41 deputetëve për të qenë mandatar për përbërjen e qeverisë së re.

Sipas nenit 98 të Kushtetutës së Malit të Zi, një procedurë e tillë për të parë nëse presidenti ka shkelur Kushtetutën mund të iniciohet nga Kuvendi, me propozimin e së paku 25 deputetëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore