Abazoviç elaboron nevojat e Ballkanit Perëndimor: “Kosovës vizat, Shqipërisë e Maqedonisë negociatat, Serbisë e Malit të Zi ecje tutje në BE”
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç
Xhezair Dashi
05.07.2022 10:17“Kosova ta ketë liberalizimin e vizave, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë t’i hapen negociatat për anëtarësim, Serbisë dhe Malit të Zi t’i hapet tutje rruga evropiane”.
Kështu u shpreh kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç në konferencën “26th Annual Economist Government Roundtable”, në një tryezë me liderët e Ballkanit Perëndimor në Greqi.
Abazoviç i bëri thirrje unionit evropian të vazhdojë me procesin e zgjerimit dhe dërgimit të sinjaleve pozitive në rajon. “Përndryshe do të kemi probleme”, u shpreh kryeministri.
Mes tjerash, kryeministri Abazoviç tha se forcat nacionaliste e shfrytëzojnë betonimin e status-quos.
“Nacionalizmi lështë i lidhur me korrupsionin. Politikanet qe promovojnë nacionalizmin thellësisht janë të lidhur me korrupsionin. Ata s’duan te shkojnë tej, por status quo”.
Dritan Abazoviç u shpreh i bindur se Mali i Zi mbetet krejtësisht në rrugën evropiane, dhe qëndron e rreptë në sanksionet ndaj Rusisë, në dënimin e agresionit mbi Ukrainën.
“Nuk bëjmë kompromise me principet. Pse? Sepse duhet të dimë se cili është qëllimi ynë. Që të jemi pjesë e botës perëndimore, e BE-së. Vazhdojmë të mbështesim Ukrainën”.
Bashkimi Evropian si organizatë politike duhet ta ringjallë procesin e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor, tha Dritan Abazoviç, dhe të vazhdojë të mirëmbajë idenë e një Evrope të përbashkët dhe solidaritetit.