Lajme

Abazoviç e ktheu Malin e Zi në të kaluarën – zgjedhjet e jashtëzakonshme të pashmangshme, thotë Gjukanoviç


Milo Gjukanoviç

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka deklaruar se qeveria e pakicës në krye me Dritan Abazoviç-in ka humbur dy vite kohë, jo vetëm duke mos i zgjidhur çështjet problematike, por ka krijuar paqëndrueshmëri në të gjitha fushat.

“Janë dy vite në të cilat u krijuan probleme financiare, ekonomike, institucionale dhe ligjore. Mali i Zi ka ngecur në negociatat me BE-në dhe këto janë arsyet pse mendoj se Mali i Zi ka nevojë për një qeveri të fortë dhe të përgjegjshme”, theksoi ai, transmeton mediumi malazez ‘Cafe del Montenegro’.

Ai vlerëson se Abazoviç në mënyrë të papërgjegjshme e ktheu Malin e Zi në të kaluarën duke nënshkruar të ashtuquajturën Marrëveshje Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe.

“Ai u përpoq të zgjidhte brenda natës një trashëgimi shumë të vështirë historike në një mënyrë që është e dëmshme për interesat e Malit të Zi. Për këtë arsye, qeveria humbi besimin, por, për fat të keq, Mali i Zi ende nuk ka filluar të shfrytëzojë mundësinë e anëtarësimit të përshpejtuar në Bashkimin Evropian”.

Duke parë ecurinë e negociatave mes partive parlamentare për emërimin e një mandatari për të formuar qeverinë e re, ai ka deklaruar se së shpejti Mali i Zi mund të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme.

“A do të pranojë kjo shumicë, e cila u krijua pas zgjedhjeve parlamentare të 2020, të formojë një qeveri tjetër, të tretën brenda dy vjetësh, apo do të biem dakord të gjithë se është e panevojshme dhe se duhet të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka pohuar Gjukanoviç.

I pari i shtetit vlerëson se edhe nëse do të arrihej një kompromis për formimin e qeverisë së tretë ajo nuk do të mbijetone për shumë kohë.

“Ai terren politik i shumicës politike, i krijuar në bazë të rezultateve të 30 gushtit 2020, është shumë i paqëndrueshëm dhe nuk mund të prodhojë një qeveri të qëndrueshme politike”.

Në fund ai foli edhe për ndikimin rus në rajon dhe kujtoi kohën kur Rusia kishte provuar të bëjë grusht-shtet në Mal të Zi.

“Rusia, pas grushtit të dështuar në Mal të Zi, nuk u dorëzua. Rusia vazhdoi të zhvillonte forma dhe përmbajtje gjithnjë e më të sofistikuara të luftës së saj hibride në Ballkanin Perëndimor”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore