Lajme

Abazi thërret konferencë: Kurti urdhëroi shkarkimin tim, nesër flas për “inçizimet dhe skandalet tjera”


Albin Kurti dhe Haki Abazi

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka dhënë urdhër për largimin e tij nga pozita e kyresuesit të komisionit.

Ish-zëvendëskryeministri, përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se për këtë gjë do të flasë më shumë të enjten me fillim nga ora 10:00, ku do të mbajë konferencë për media në hollin e Kuvendit të Kosovës.

“Ju ftoj në konferencë për Media lidhur me urdhrin e Kryeministrit Kurti për të kërkuar nga Kuvendi shkarkimin nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE- Kosovë”, ka shkruar Abazi.

Tutje, një nga njerëzit më të afërt me kryeministrin gjatë qeverisë Kurti 1, deklaroi se do të flas edhe për “audio/video incizimet dhe skandalet tjera që ky urdhër mëton t‘i mbulojë”.

Abazi nuk ka sqaruar më shumë rreth “audio/video” incizimeve të cilat i ka paralajmëruar në njoftim.

Ai që prej kohësh ka shprehur vazhdimisht pakënaqësitë e tij me partinë që iu bashkua para zgjedhjeve të vitit 2019, veçanërisht me kryesuesit e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një periudhë ai thërriste konferenca me gazetarë çdo të premte ku shpaloste opinionet e tij për situatën politike.

I pyetur përse, Abazi kishte lënë të nënkuptohej se nuk po i jepej hapësirë brenda partisë.

Ai pati shprehur ankesa edhe në Shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e cila, sipas Abazit, nuk ndante në mënyrë meritore fjalën mes deputetëve të VV-së ne seanca.

Kur Abazi ishte anëtarësuar në Vetëvendosje në vitin 2019 për shumë kë ishte një lëvizje befasues.

Dikur një nga kritikët e ashpër të Vetëvendosjes, Abazi pas formimit të qeverisë e pa vetën njeriu i dytë pas Kurtit, duke okupuar pozitën e zëvendës-kryeministrit të parë.

Ajo qeveri zgjati pak dhe kur u formua Kurti 2, Abazi më nuk gëzonte asnjë funksion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore