Shqipëria

Abazi i LVV-së: Me dorëheqjen, mora përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit


Ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosja në Shqipëri, Boiken Abazi, një ditë pas dorëheqjes së tij nga posti, të martën e 19 tetorit ka deklaruar se ai mori përgjegjësi për humbjen në zgjedhje, prandaj erdhi dhe ky vendim.

Abazi, i ftuar në “Euronews Now”, deklaroi se dëshira e tij kishte qenë që të fitonte të paktën një mandat në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri.

Por, pavarësisht kësaj, për të e rëndësishme ka qenë përhapja e frymës së LVV-së.

“Gjëja më e rëndësishme është që të rritet organizata, të përhapet fryma e Lëvizjes, dhe e treta ka qenë mandati”, tha Abazi.

Ai theksoi se, pavarësisht humbjes, fitoi faktimin e vjedhjes së votës në këto zgjedhje.

I pyetur se cili do të jetë “pasardhësi” i tij, ai nuk përmendi emër.

Pavarësisht dorëheqjes, Abazi ravijëzoi se do vazhdojë të jetë pjesë e kësaj partie si anëtar i këshillit të LVV-së në Kosovë dhe në Shqipëri.

Duke përmendur frymën e LVV-së, ai u shpreh së Shqipëria ka nevojë për një subjekt politik që lidh social-demokracinë dhe shtetin zhvillimor – me vullnetin e shqiptarëve për bashkimin kombëtar.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, Boiken Abazi garoi si kandidat i pavarur në Tiranë, nën siglën e Vetëvendosjes, por nuk arrit të merrte mandatin e deputetit.

Më 18 tetor, nëpërmjet një statusi në median sociale “Facebook”, Abazi njoftoi se më 15 shtator ka paraqitur dorëheqjen e parevokueshme nga pozicioni i drejtorit ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore