Lajme

AAK, Qeverisë: I keni gënjyer zyrtarët publikë, s’e miratuat qëllimisht Ligjin e Pagave


Benik Tahiri

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një konference për media, ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me përpilimin e buxhetit të vitit 2023.

Sipas shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, Qeveria e Kosovës nuk e ka futur në buxhet qëllimisht Ligjin e Pagave, kështu duke mos e miratur atë paraprakisht në Kuvend.

“Qeveria i ka gënjyer të gjithë zyrtarët publikë, 80 mijë familje, duke ju thënë se do të sjellë Ligjin e Pagave, të cilën nuk e ka sjell dhe mbi të gjitha duke mos e vendosur në buxhet vijën e cila do të fuste në zbatim këtë vit ligjin dhe njëkohësisht vlerën e koeficientit”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“E kanë luajtur një lojë shumë të ulët duke mos e sjellë Ligjin e Pagave paraprakisht në mënyrë që me thonë se në buxhet të vitit 2023 nuk mund ta fusim buxhetin për Ligjin e Pagave dhe koeficientin për shkak se nuk është miratuar ligji”.

“Kjo është një ndër mashtrimet më të mëdha që kjo qeveria ja bënë 80 mijë familjeve dhe mbi të gjitha është goditje e madhe që i bëhet shërbimit publik, njerëzve të cilët nuk mund me rrogën e tyre as pushimin e drekës ta kryejnë e lëre më diçka tjetër”.

Më tej Tahiri ka bërë të ditur se AAK-ja ka përgatitur një amendament për buxhetin e vitit 2023, përmes të cilit kërkon rritjen e pagave për zyrtarët publikë në të gjitha nivelet deri në 30 për qind.

“Kemi marr vendim që të prezantojmë një amendament në këtë buxhet, amendament i cili lidhet drejtpërdrejtë me nevojën për ngritjen lineare të pagave të zyrtarëve publikë në të gjitha nivelet 30 për qind, përveç të emëruarave politik, pra deputetëve, ministrave, anëtarëve të kabinetit, të tjerët pa dalim të kenë rritje të pagave 30 për qind, duke përshirë sektorin e arsimit, mjekësisë, sigurisë”, ka shtuar Tahiri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore