Kosova

AAK për Albanian Post: Kosova është shtet sovran, s’mund të organizohet kurrfarë referendumi i Serbisë


Aleanca per Ardhmerine e Kosoves

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, në një prononcim për Albanian Post, ka thënë se duhet të refuzohet kategorikisht çfarëdo tentative për mbajtje të referendumit serb në territorin e Kosovës.

“Pretendimi i Serbisë që të organizojë referendum kushtetues në territorin e Kosovës është sulm flagrant mbi sovranitetin dhe integritetin kushtetues të  Kosovës”, ka thënë ky deputet i AAK-së, njëjtë siç kanë deklaruar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Prandaj inkurajojmë dhe jemi në mbështetje të të gjithë atyre që e kundërshtojnë me forcë organizimin e këtij referendumi”, thotë Dreshaj.

“Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe në territorin e saj nuk mund të organizohen kurrfarë referendumesh të shteteve të tjera, e as referendum i Serbisë, i cili pastër është përpjekje për ushtrimin e sovranitetit nacional të Serbisë mbi Kosovën”.

Dreshaj ka pasur një koment edhe për ndërkombëtarët që po kërkojnë mbajtje të referendumit edhe në Kosovë.

“Njëkohësisht u bëjmë thirrje zyrtarëve të BE-së që të jenë, e pakta të paanshëm në raport me këtë çështje kaq të ndjeshme juridike e politike”.

Shemsedin Dreshaj, AAK

Referendumi që pritet të mbahet në Serbi ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese atje. Qeveria deklaroi para disa ditësh që nuk do të lejohet mbajtja e këtij Referendumi edhe në territorin e Kosovës.

Në anën tjetër, shtetet e QUINT-it, SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar nga qeveria që të mos ndalohet votuesi serb i Kosovës të votojë në referendum.

Gjithashtu, kanë përmendur organizimin e vendvotimeve nga OSBE-ja në Kosovë.

Mospajtimi ka bërë që të organizohet një takim urgjent mes Albin Kurtit, Vjosa Osmanit e Glauk Konjufcës me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë.

Pas takimit, kryeministri Albin Kurti është deklaruar shkurtazi për media, duke treguar se po thërret një seancë të jashtëzakonshme për të shtunën, me 15 janar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore