Lajme

AAK pas mosvotimit të Trustit: Qeveria e Kosovës të jep dorëheqje


Ilustirm

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë së Kosovës, pas mosvotimit të projektligjit në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, që do të mundësonte qytetarëve të tërheqin një pjesë të mjeteve nga fondi i kursimeve pensionale.

Përmes një komunikate për media, partia opozitare në fjalë ka shprehur zhgënjimin të thellë për dështimin e votimit të këtij projektligji.

Sipas tyre qytetari i Kosovës, sot është goditur pas shpine, i cili edhe ashtu është në gjendje të rëndë ekonomike.

“Grupi parlamentar i AAK-së shpreh zhgënjimin e thellë me mosvotimin e nismës për tërheqje të 30% të kursimeve pensionale. Varfërimi dhe goditja e vazhdueshme ndaj shtresës së mesme të shoqërisë, dhe atyre në varfëri të skajshme po vazhdon edhe me këtë vendim nga ana e shumicës parlamentare. AAK do të vazhdojë të jetë përkrah qytetarëve të Kosovës, me bindje dhe votim të politikave në dobi të interesit qytetar. Sot, Qeveria do të duhej të dorëhiqet!”, thuhet në komunikatën për media e lëshuar nga AAK.

Votimi për projektligjin për plotësim-ndryshimin e fondit pensional që do të hapte rrugën për tërheqjen e deri në 30% të Trust-it të inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe e mbështetur nga opozita në përgjithësi, nuk kaloi.

Nga 102 deputetë të Kuvendit të Kosovës të pranishëm në sallë, 44 nga opozita votuan për, 57 të pozitës kundër, dhe një abstenim nga deputeti Fatmir Humolli.

Për të kaluar projektligji ka qenë e nevojshme të votohet nga gjysma e deputetëve të pranishëm, gjë që u mbivendos nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët i thanë jo nismës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore