Lajme

AAK dërgon në kushtetuese vendimin për shtrenjtimin e rrymës


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se partia të cilën ai e drejton ka nisur procedurën e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese vendimin për rritjen e çmimi të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, të cilën e ka konsideruar si “shkelje rëndë e të drejtave të njeriut”.

Për Haradinaj, qytetari po përballet me pamundësinë e sigurimit të ekzistencës pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve esenciale, si rryma, vaji, sheqeri, buka.

“Kemi qenë të shqetësuar gjatë gjithë këtyre muajve të veprimeve të kësaj qeverie antipopullore. Ka më shumë se gjashtë muaj që bëjmë presion te kjo qeveri ta miratojë Ligjin e Pagave dhe rritjen e pagës minimale, e s’ka asnjë veprim”, ka shrkuar Haradinaj në Facebook.

Sipas Ish-kryeministrit të Kosovës, situata në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë më e rëndë dhe se Kryeministri i Kosovës në vend se të veprojë pas situatës së krijuar me çmime mbanë fjalime letrare dhe filozofike në Kuvend.

“Nuk ushqehet populli as me ideologji e as me ëndrra. Nuk mashtrohen njerëzit me fjalë të bukura. Nuk mbahet shpija me llafe. Kanë vdekur sistemet kur popujt janë ushqyer me ideologji dhe me artin e kulturën që e kanë prodhuar ato, e të cilat kryeministri Kurti po i përdorë me aq pafytyrësi”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore