Lajme

A mund të funksionojë marrëveshja Francë-Britani për emigrantët?


Një ndjekje si macja me miun gjatë ditës dhe gjithë natës.

Kështu e përshkruajnë patrullat franceze misionin e tyre në vijën bregdetare, nga ku dhe nisen emigrantët me gomone drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Pemët ofrojnë një mbrojtje të mirë nga avionët e vëzhgimit, bunkerët e Luftës së Dytë Botërore janë strehim ideal për pasagjerët, dhe dunat e rërës së bashku me shkurret i kthejnë patrullimet në më të ngadalta.

Pajisjet kanë ndihmuar.

Dronët e financuar nga Britania e Madhe, të pajisur me kamera me imazhe termike, kanë ndryshuar lojën për xhandarmërinë.

Ata bëjnë të mundur që të dallohen njerëzit edhe nën mbulesën e pemëve.

Karrocat e specializuara të ndërtuara për dunat e rërës – një kontribut tjetër nga MB – i kanë ndihmuar njësitë të arrijnë atje më shpejt.

Por duhet që të ecësh gjatë në këmbë, nëse do që të mbërrish në pozicionin ku emigrantët nisen.

Vendi ku të dyja palët kalojnë është i mbushur me gjemba, gëmusha që arrijnë deri në lartësinë e një njeriu.

Oficerët shihen duke dalë nga ndjekja me gërvishtje të gjata të thella në trupat e tyre – gjembat janë ngulur në uniformë dhe në mish.

Në kohën kur mbërrijnë xhandarët, shpesh ka vetëm një varkë të braktisur dhe pak benzinë të hedhur, por asnjë refugjat.

Kontrabandistët e dinë se çfarë po bëjnë.

Marrëveshja e fundit mes Francës dhe Britanisë ka dy mesazhe kyçe për funksionet operacionale dhe politike.

Së pari, ka më shumë investime për pajisje dhe patrullime.

Dhe së dyti, ka një marrëveshje të re që Franca do të presë oficerë britanikë në qendrat e komandës në tokën franceze, për të shkëmbyer informacione dhe për të ndihmuar burimet direkte.

Burime pranë negociatave thanë gjithashtu se edhe Franca ka ofruar të lejojë oficerët britanikë të dalin në patrullë me njësinë franceze si vëzhgues.

Tony Smith, ish-drejtori i përgjithshëm i Forcave Kufitare, beson se është një hap në drejtimin e duhur.

Mund të zvogëlojë flukset nëse funksionon, por nuk do t’i ndalojë fare varkat.

“Ne nuk kemi pasur shumë kontroll në të kaluarën, se si francezët vendosin burimet për të cilat ne po paguajmë”, tha ai.

Për të, kjo marrëveshje e re do të thotë se “ne tani kemi një ndërlidhje operacionale dhe taktike në lidhje me dislokimet”.

Mbretëria e Bashkuar ka lobuar prej vitesh që të ketë policinë në terren në Francë.

Kur u pyet ministri i Brendshëm francez vitin e kaluar për refuzimin e kësaj kërkese nga Franca, ai tha se ishte një çështje sovraniteti.

Duke buzëqeshur pak, ai shtoi: Sovraniteti është diçka që britanikët e kuptojnë.

Pra, ky koncesion i ri nga qeveria franceze mund të lexohet si një shenjë e ngrohjes ngadalë të marrëdhënieve midis Parisit dhe Londrës, pas vitesh tensioni nën Boris Johnson dhe Liz Truss.

Shkruar nga reportja e “BBC” në Francë, përshtatur për “Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore