Lajme

A mund ta fitojë Ukraina luftën?


Përshkallëzimi i luftës, pothuajse i arritur nga raketa që ra mbi Poloninë mbrëmjen e së martës ka rindezur diskutimin mbi perspektivat e luftës dhe mundësitë e paqes. Ishte tema kryesore e G20-ës së udhëhequr nga SHBA-ja që sapo përfundoi në Bali, Indonezi.

Në fakt, të gjitha vendet përveç Kinës e kanë dënuar agresionin e Rusisë. Por jo të gjithë kanë të njëjtin mendim për atë që na pret në muajt e ardhshëm. Përballja sillet rreth disa pyetjeve thelbësore.

A mund ta fitojë Ukraina luftën?

Javën e kaluar Mark Milley, shefi i Shtabit të Përbashkët të Shteteve të Bashkuara, u përgjigj “jo”, duke rinisur dyshimin bazë që na ka shoqëruar që nga 24 shkurti 2022, ditën e parë të sulmit të Putin-it.

Dy ditë më parë Milley e zbuti pak analizën e tij. “Shanset që Ukraina të mund të mposhtë rusët në fushë nuk janë shumë të larta”, deklaroi ai. Numri një i ushtrisë amerikane e kishte fjalën për një fitore të plotë, me dëbimin e ushtrisë së Putin-it nga i gjithë territori ukrainas, përfshirë Krimenë, të aneksuar në 2014 nga Rusia.

Duhet thënë gjithashtu se vetë Milley, në një seancë dëgjimore në Kongres më 4 shkurtin e kaluar, argumentoi se nëse rusët “do të kishin sulmuar masivisht, ata do të kishin mbërritur në Kiev për 72 orë”. Siç dihet, edhe Pentagoni u befasua nga reagimi ukrainas.

Çfarë do ta pengonte Zelensky-n të rimerrte të gjithë vendin?

Administrata amerikane mendon se do të ishte shumë e vështirë për ukrainasit që të rifitonin Krimenë dhe pjesën e Donbasit në duart e prorusëve që nga viti 2014. Dhe Biden nuk ka ndërmend t’i sigurojë Zelensky-t mjetet ushtarake për të tentuar këtë arritje.

Në gadishullin në kufi me Detin e Zi ndodhet baza detare e Sevastopolit, një infrastrukturë thelbësore për Kremlinin. Washingtoni ka frikë se Putin-i mund të përdorë pajisjet më të fuqishme, jo domosdoshmërisht ato bërthamore, për të mbrojtur Krimenë.

Çfarë përgjigjen ukrainasit?

“Dy faktorë janë thelbësorë: koha dhe ndihma perëndimore. Nëse aleatët vazhdojnë të na dërgojnë armë dhe municione shumë më gjatë, atëherë padyshim fitorja do të jetë e jona. Ne do të bëjmë gjithçka, me mjete ushtarake dhe diplomatike, për të rimarrë të gjithë hapësirën e Ukrainës. Rusët kanë aneksuar tashmë katër rajone dhe do të donin më shumë”, komenton koloneli Iurii Ihnat, zëdhënës i Forcave Ajrore të Ukrainës.

Në lidhje me çka mund të ndodhë në Krime ai shton “Ne kemi forcën për ta çliruar, megjithëse për momentin shohim se rusët kanë përqendruar njerëz dhe mjete atje. Ata po forcojnë mbrojtjen e tyre ajrore, duke lëvizur atje raketa tokë-ajër me rreze të shkurtër dhe të gjatë nga bazat në Bjellorusi. Ata kanë modifikuar raketat sovjetike BuckM1 dhe BuckM2. Por armët tona të reja janë superiore”.

A mund të jetë Krimea hapi kryesor në negociata?

Prej disa javësh në Washington po qarkullon hipoteza e lënies së Krimesë rusëve për një numër të caktuar vitesh. Për këtë do të kishte gjithashtu një kapje ligjore. Në vitin 2010, presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Viktor Janukoviç, rinovoi koncesionin e qeverisë ndaj Kremlinit për bazën e Sevastopolit deri në vitin 2042. Kanë mbetur edhe 20 vite për të ardhur në fund të kontratës. Ndoshta janë shumë.

Është e vështirë të hibernizosh status quo-në e të gjithë gadishullit për tërë këtë kohë. Por në Departamentin e Shtetit mendojnë se formula e një transferimi të përkohshëm të sovranitetit mund të jetë e dobishme në zhbllokimin e ngërçit.

Zelensky, megjithatë, është radikalisht kundër dhe deklaron të jetë i vendosur për të luftuar për t’u kthyer në kufijtë e vendosur në 1991, vit i pavarësisë.

«Davai», ecim përpara dhe do ia dalim! Ukrainasit e përdorin këtë fjalë ruse për të inkurajuar njëri-tjetrin dhe për të vënë në dukje se nuk do t’i lënë asnjë pëllëmbë nga toka e tyre «diktatorit të çmendur Putin».

A mundet përshkallëzimi dramatik i prekur ditët e fundit t’i bindë të gjithë se ka ardhur koha për të negociuar?

Sigurisht, askush në Washington apo Kiev nuk e njeh pjesën kryesore të përgjigjes, sepse kjo varet nga qëllimet e Putin-it.

Nga pala amerikane, megjithatë, ka një gjurmë. John Kirby, drejtor i komunikimeve strategjike në Shtëpinë e Bardhë, thotë se “derisa rusët të bombardojnë qytetet, duke synuar civilët, nuk do të ketë asnjë shans për t’u ulur në tryezën e bisedimeve”. Parakusht, pra, është “armëpushimi”. I takon Putin-it të marrë iniciativën. Por ka shumë pak gjasa që ai të dalë hapur dhe të kërkojë përfundimin e armiqësive. Kjo do të thotë të pranojë humbjen.

Megjithatë, dimri është shumë pranë. Ngrica mund të imponojë një armëpushim fiziologjik, pa pasur nevojë që Putin të justifikohet. Në atë moment mund të fillojnë diskutimet. Kjo është pikërisht ajo që tha gjenerali Milley, duke i dhënë zë skenarit të studiuar nga gjeneralët dhe Shtëpia e Bardhë.

Po Zelensky? Dje, në fakt, ai u përgjigj me një ndërhyrje online. “Nuk ka fare rëndësi çfarë duan terroristët, çfarë po përpiqen të arrijnë. Ne duhet ta kapërcejmë këtë dimër dhe të bëhemi edhe më të fortë për  pranverën e ardhshme”.

Presidenti ukrainas është i gatshëm të bëjë vetëm një lëshim: të heqë dorë nga ideja e rrëzimit të Putin-it.

A ka Biden mjetet për të ndryshuar skenarin e një lufte gjithëpërfshirëse?

Presidenti amerikan po përpiqet. Ai i bëri të ditur disa herë Zelensky-t se duhet të shmangen disa hapa që kërkojnë një shtytje përpara, siç është kërkesa për ndërhyrje të NATO-s, pa qenë pjesë e saj.

Por është e qartë se problemi i vërtetë është se si të nxirret Putin nga strofka. Biden po përdor dy leva: nga njëra anë, ai vazhdon të ofrojë ndihmë masive ushtarake për rezistencën ukrainase, nga ana tjetër, ai mban të hapura kanalet e komunikimit me Moskën në nivele të ndryshme. Objektivi: të shfrytëzohet mundësia që ofron faktori dimër, atë më neutrale të mundshme.

Autorët Lorenzo Cremonesi dhe Giuseppe Sarcina për Corriere della Sera, përshtatur për Albanian Post

 

Cilët janë skenarët për Ukrainën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore