Shqipëria

“A martohet fëmija që në djep mor bab?!”


Ishte viti 1953, kur erdhi në jetë Mrika Troshani. Sapo u njoftua që ishte një vajzë, i ati i saj e dha Mrikën për nuse, në fshatin Nikaj Merturi.

Tonini nga Curraj i Epërm, Tropojë, i kishte premtuar shokut të ngushtë se, nëse do të “shtohej” me vajzë, do ta “jepte” nuse për djalin e tij.

“Kur u bëra 9 vjeçe, kam mësuar për herë të parë që isha e martuar dhe që kisha një burrë. Në moshën 13-vjeçare, babai më dërgoi te familja e burrit. Nëna më ka treguar se si unë u martova që në djep, me burrin tim”.

Sot, 68 vjeçe, Mrika ka rrëfyer për Albanian Post sesi familja e saj e “dha” nuse që foshnjë.

“A martohet fëmija, që në djep mor bab?! – Kanë qenë fjalët e fundit që i kam thënë babës para se të vdiste”, tregon përmes lotëve Mrika.

 

Në çfarë kushtesh ndodhnin martesat në djep?

Veriu i Shqipërisë, prej dekadash, ka mbajtur mbi shpinë barrën e martesave të hershme.

Në nëntë bajrakët e Dukagjinit, të vjetrit tregojnë se martesat në djep kanë nisur të vihen në zbatim shumë kohë përpara epokës së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Dy fëmijë martoheshin që në moshën 1, 2 apo 3-vjeçare. Mjaftonte që dy baballarët të ishin dakord.

Në shumicën e rasteve, kur lindte një fëmijë, miqtë e familjes shkonin për vizitë për të shprehur urimin e tyre. Në bisedë e sipër, dy baballarët miq dhe shokë të mirë vendosnin të lidhnin dy familjet më shumë, duke martuar fëmijët e tyre.

“Gjithçka ia bëj hallall, por babit nuk ia fal kurrë, që më martoi që në djep”, shprehet Mrika për Albanian Post.

Për martesat e hershme ka shkruar dhe e mirënjohura Edit’h Durham.

Në librin “Shqipëria e Epërme”, Durham shpjegon se si, në shtresat e mesme dhe të varfra të popullsisë, zënia në djep bëhej me qëllim që të forcohej miqësia ndërmjet dy shtëpive.

“Marrëveshja bëhej drejtpërdrejt, me marrëveshjen e dy të zotëve të shtëpisë ose të dy prindërve të fëmijëve”, shkruan Durham.

“Kur dy gra nga shtëpia e tyre ishin me barrë, ata shfaqnin dëshirën që, po qe se lindnin njëra djalë e tjetra vajzë, të porsalindurit do të quheshin të zënë ndërmjet tyre”.

Në ndonjë krahinë bëhej edhe një ceremoni e vogël dhe kur lindnin fëmijët me seks të kundërt, lajmërohej me të shtëna pushke se të dy familjet u lidhën me miqësi. Për ligjësimin e kësaj “shkëmbehej edhe buka”, domethënë, organizoheshin gosti në të dy familjet.

Shqipëri patriarkale

Sot Mrika ka 4 fëmijë, dy vajza dhe dy djem. Burri i saj nuk ka qenë “asnjëherë” pro shkollimit të vajzave. Ai nuk i ka lejuar ato të vazhdojnë studimet universitare.

Gjatë drejtimit të familjes, ai shfaqte natyrën e tij të sertë dhe “komuniste”. Sipas së shoqes, ai u thoshte fëmijëve se “demokracia i ka prishur marrëdhëniet me njerëzit”.

“Vajzat janë për t’u martuar e për tu kujdesur për familjen, thoshte ai. Të rrisësh fëmijë nuk duhet shkollë”.

Nga publikimet e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, një vajzë nën moshën 15 vjeç, është pesë herë më shumë e rrezikuar të vdesë gjatë shtatzënisë apo lindjes, se sa një grua në të 20-at.

Kur një nënë është nën 18 vjeç, shansi që foshnja e saj të vdesë gjatë vitit të parë është 60% më e lartë sesa nëse foshnja lind nga një nënë mbi 19 vjeçe.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore