Lajme

A ka vërtet pilula që mund të parandalojnë kancerin?


Përditë e më shumë po rritet numri i analizave në favor të përdorimit të Aspirinetas, dozës së vogël ditore të marrë si “mbrojtje” ndaj çrregullimeve kardiovaskulare, në mbrojtjen ndaj disa formave të kancerit.

“Mekanizmi i dobishëm i aspirinës duhet t’i atribuohet si frenimit të disa faktorëve inflamatorë, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në nxitjen e rritjes së tumorit, dhe mbajtjes së rrjedhshmërisë më të mirë që ndihmon në reduktimin e rrezikut të depozitimit të qelizave metastatike”.

Kështu shpjegon Carmine Pinto, president i Federatës së Grupeve Kooperative të Onkologjisë Italiane (FICOG).

Por është e rëndësishme të kryhet një studim për të konfirmuar këto gjetje të rëndësishme, duke treguar gjithashtu se përfitimet e përdorimit të rregullt të aspirinës tejkalojnë rreziqet e efekteve anësore të mundshme nga marrja e saj.

Për ata që e marrin trajtimin për një kohë të gjatë, ndër efektet anësore kryesore janë formimi i ulçerës gastrointestinale dhe hemorragjia gastrike.

Metformina, një ilaç oral që përdoret zakonisht në trajtimin e diabetit, mund të luajë një rol në parandalimin e disa tumoreve falë aftësisë së tij për të bllokuar aktivitetin e faktorëve që nxisin përhapjen e qelizave dhe mikromjedisit të tumorit dhe, indirekt, duke kontrolluar reduktimin e heqernave dhe inflamacionit.

Disa studime sugjerojnë se në kancerin e gjirit, por edhe në kancerin e mushkërive, gastrointestinale dhe prostatës, marrja e metforminës për diabetin mund të shoqërohet me një përmirësim të mbijetesës.

Po ashtu metformina duket se ka një efekt parandalues.

Disa studime kanë përqendruar vëmendjen në efektin mbrojtës të kontraceptivëve oralë në kancerin ovarian dhe endometrial.

“Të dhënat më solide janë ato për tumoret e vezoreve”, shpjegon Carmine Pinto, drejtoreshë e onkologjisë mjekësore në AUSL-IRCCS të Reggio Emilia. “Kjo për shkak të shtypjes së aktivitetit ovarian, por mekanizmat e vërtetë të veprimit mbrojtës nuk dihen ende plotësisht”.

“Çdo pesë vjet marrje ato prodhojnë një reduktim 20 për qind të rrezikut për t’u sëmurur”.

Nga një analizë që ekzaminoi në mënyrë retrospektive 45 studime të kryera në gjithsej 23 mijë e 257 gra me kancer ovarian dhe 87 mijë e 303 të shëndetshme, del se kohëzgjatja e marrjes së pilulës ishte proporcionale me uljen e rrezikut.

Rreziku u reduktua me 22 për qind në katër vjet marrje të pilulës, 36 për qind në 5-9 vjet, 44 për qind pas 10-14 vitesh marrje dhe 58 për qind te gratë që e kishin marrë për të paktën 15 vjet ose më shumë.

“Domethënës është fakti se efekti mbrojtës vërehet edhe te gratë me mutacion të gjeneve BRCA 1 dhe 2, të shoqëruara me një rrezik më të madh të prekjes nga kanceri i gjirit dhe vezoreve”.

“Në të ardhmen e afërt mund të marrim super-pilula të baktereve të mira”, sipas ekspertes.

Studimet e fundit kanë treguar se bakteret e mira, duke përfshirë laktobacilet dhe bifidus, të cilat banojnë në trupin tonë, janë një mburojë e fuqishme e mbrojtjes imune, e aftë për të parandaluar tumoret e shumta dhe për të rritur efikasitetin e kimioterapisë dhe imunoterapisë kundër kancerit.

Kurse bakteret e tjera “të këqija” të pranishme në zgavrën e gojës mund të rrisin rrezikun e kancerit.

Ndaj pilulat e baktereve të mira apo edhe “transplantimi” i biomasës së përpunuar nga bakteret janë një qëllim i mundshëm për t’u arritur.

Nëse kjo tabletë magjike nuk ekziston aktualisht, është e sigurt se strategjia më e mirë e disponueshme sot është një kurim i përditshëm i rregullave të mira të arta për të mos u prekur nga kanceri, lehtë dhe pa kosto, të cilat përfshijnë: dietën, aktivitetin fizik , reduktimin e mbipeshës, ndalimin e pirjes së duhanit dhe kontrollin e marrjes së alkoolit.

“Të paktën 30 për qind e tumoreve mund të parandalohen duke mbajtur një dietë korrekte dhe duke kryer aktivitet fizik të rregullt”, thekson Pinto.

Nëse stileve të gabuara të jetesës i shtoni ekspozimin e tepërt ndaj diellit dhe ndotjen e ajrit, studiuesit argumentojnë se deri në 9 nga 10 kancere varen nga këta faktorë në përgjithësi dhe prandaj janë potencialisht të shmangshëm.

Rreth 75 për qind e rrezikut të zhvillimit të kancerit të zorrës së trashë duket se është për shkak të dietës, ashtu si 80 për qind e rrezikut të kancerit të lëkurës lidhet me ekspozimin në diell dhe 75 për qind e kancerit të kokës për shkak të alkoolit dhe duhanit.

Kontrolli i ndërveprimit midis faktorëve molekularë gjenomikë dhe të jashtëm të lidhur me faktorët mjedisorë, ekspozimin, ushqimin dhe më shumë globalisht të lidhur me zakonet e stilit të jetesës do të përfaqësojë gjithnjë e më shumë sfidën për parandalimin dhe reduktimin e rrezikut të shfaqjes së kancerit.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore