Lajme

A është demarkacioni çështje e hapur mes Kosovës e Malit të Zi? – Osmani e Gjukanoviç (s’)përgjigjen


Konference e perbashket per media ne Prishtine mes Vjosa Osmanit dhe Milo Gjukanovic

Pyetja e parë për Vjosa Osmanin dhe Milo Gjukanoviç në momentin që është hapur mundësia për gazetarët gjatë konferencës së përbashkët në Prishtinë, ka qenë rreth Demarkacionit me Malin e Zi.

Çështje e cila e kishte elektrizuar skenën politike në Kosovë, duke u thënë se Kosova i fali tokë Malit të Zi.

Por, në pyetjen e gazetares së televizionit shtetëror malazez, se a është Demarkacioni çështje e hapur, Osmani ka refuzuar të jap një përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Dua ta potencoj sërish se Mali i Zi si është ndër shtetet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Që nga viti 2008 ka qenë ndër fqinjët më përkrahës për Kosovën. Kjo miqësi do të ruhet dhe do të forcohet”, ka potencuar fillimisht ajo.

Sa i përket Demarkacionit, Osmani shtoi se “Republika e Kosovës ka ratifikuar 3 dokumente në parlament; e para marrëveshja dypalëshe; e dyta është deklarata e përbashkët ndermeje dy presidentëve të atëhershëm dhe e treta ka qenë raporti i komisioni shtetëror për çështjen e kufirit”, vazhdonte përgjigjen Osmani duke mos ofruar një qëndrim të qartë.

“Gjithçka që ka të bëjë me raportet tona do të diskutohet dhe do të zhvillohet në përputhje me respektin e ndërsjellë, raporteve të shkëlqyeshme miqësore dhe edhe çështja e trupit të përbashkët teknik është një çështje e tillë teknike e cila do të realizohet nëpërmjet diskutimeve miqësor ndërmjet dy vendeve tona, gjithnjë duke vlerësuar se raportet tona të ndërsjella duhet t’i zhvillojmë”.

Vjosa Osmani ne konference per media

Osmani me kaq e përfundoi shpjegimin e saj për çështjen e demarkimit me Malin e Zi, derisa refuzoi të përgjigjej direkt se a ekziston një çështje e hapur mes dy vendeve, apo jo.

“Ka mjaftueshëm akterë të tjerë që kërkojnë ta destabilizojnë Ballkanin, Kosova dhe Mali i Zi nuk do të duhej, sepse kjo do shkonte në interes të atyre që kanë interesa malinje. S’ka çështje që e prish Malin e Zi me Kosovën”.

Edhe Gjukanoviç u përgjigj në këtë pyetje, por ishte më i shkurtër. Ai pohoi se pajtohet me atë çfarë deklaroi Osmani, derisa shtoi se “kemi folu për të gjitha çështje që nuk janë probleme, janë thjesht çështje që kërkojnë zgjidhje”

“Kemi folur edhe për mundësinë e avancimit të bashkëpunimit dyshtetërorë. Kemi folur edhe për çështjen e kufirit”.

Ai pohoi se “do t’u përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar, derisa “nuk do të jetë burim i mos marrëveshjes”.

Mali i Zi do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Gjukanovic ne konference per media

Në pjesën tjetër të konferencës për media, Gjukanoviç e Osmani kanë folur kryesisht për raportet e shkëlqyera që Mali i Zi e Kosova kanë si dy shtete fqinje.

Përtej se miqësi, u tha se janë edhe “të bazuara në objektivat strategjike në mes të dy vendeve tona”.

Osmani, që e ka ftuar Gjukanoviçin për vizitë dyditore në Kosovë, shtoi se “kjo vizitë të shpërbejë edhe si dëshmi për angazhimin tonë të palëkundur në Ballkanin Perëndimor”.

“Dy vendet tona janë bosht për ndalimin e influencave”, deklaroi Osmani.

Gjukanoviç në anën tjetër ka kujtuar se Mali i Zi ishte ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, derisa ka shtuar se do ta përkrahin vendin mik edhe në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

“Ne do të ofrojmë realizimin e qëllimit të Kosovës në KiE dhe është e logjikshme që ne po e mbështesim Kosovën”.

Për dialogun me Serbinë, presidenti i Malit të Zi ka thënë se ai duhet të vazhdojë, se s’ka mënyrë tjetër të zgjidhjes së problemeve dhe se vetë Mali i Zi është shembull që gjithçka e ka zgjedhur me dialog.

Krejt në fund, e ka ftuar Osmanin për një vizitë zyrtare në Mal të Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore