Lajme

A erdhi në Kosovë ambasadori? – MPJ e ka obligim të tregojë nëse Martin Berishaj ka raportuar për dyshimet e ngritura rreth tij


Ilustrim

Një ditë pasi Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, u bë lajm ndërkombëtar, meqë dyshohet se është në epiqendrën e një skandali financiar në Slloveni, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati kërkuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla që ai të ftohet në raportim.

“Njoftojmë qytetarët se Presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga Ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presicencës, të datës 22 Prill.

“Sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër”, thuhet në vazhdim të këtij njoftimi, por pa dhënë më shumë detaje rreth datës dhe kohës se kur i është caktuar ambasadorit Berisha të vij në raportim.

Kanë kaluar dy javë nga ajo ditë, por nuk dihet ende asgjë për këtë proces.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, edhe pse e ka detyrë, nuk ka treguar nëse ambasadori Berishaj ishte në Kosovë për të sqaruar rastin.

Kjo Ministri nuk u është përgjigjur as pyetjeve të redaksisë lidhur me këtë çështje.

“Në rast se ambasadori vjen në konsultime dhe kthehet përsëri atje, është rregull që të informohet publiku”, ka thënë për Albanian Post, Tomorr Avdia, njohës i çështjeve të Protokollit shtetëror.

“Kjo është praktikë ndërkombëtare, kjo praktikë zbatohet në çdo shtet. Njëjtë zbatohet edhe këtu dhe nuk besoj që ka ndryshime të tjera. Kjo është procedura nuk ka tjetër”, ka treguar më tej Avdia.

MPJ, sipas Avdiut, për të deleguarin e vet në Kroaci, në këtë rast, mund të mos jap detaje se çfarë u raportua? Çfarë tregoi ambasadori në arsyetimin e tij? Por gjithsesi duhet të publikoj vendimet që ministria merr rreth tij.

“Janë detaje që nuk bëhen publike por, nëse ka vendime bëhen publike. Pra, nëse ka vendime për tërheqje, ka vendime për ndryshimin e tij, ka vendime që ambasadori nuk shkon për një kohë pa u sqaruar çështja, nuk kthehet në ambasadë e dikush tjetër shkon në vend të tij, në raste të tilla ata duhet patjetër të informojnë publikun”, tregon më tej Avdia për Albanin Post.

Njohësi i çështjeve të protokollit tregon se në ftesën për konsultim, ambasadorit duhet t’i caktohen të gjitha detajet rreth kohës kur ai duhet ta bëjë atë.

“Nëse ftohet për konsultime i caktohet data, koha dhe ku duhet të jetë prezent. Në qoftë se ftesa dërgohet për shembull për datën 10 maj, ai me 10 maj duhet të jetë në zyrën e Ministrisë së Punëve të Jashtme për të raportuar. Është e caktuar data, koha dhe ku, me shkresë, kur ti dorëzohet shkresa e ftesës”.

Koha e ardhjes, nuk përcatkohet dot nga mundësia dhe dëshira e ambasadorit.

“E cakton ministri, nuk është kompetencë e ambasadorit”, sqaron Avdia, duke ripërsëritur se kështu funksionon diplomacia në të gjithë botën, janë rregulla të njëjta për të gjitha shtetet në botë e në bazë të së cilave funksionon edhe Kosova.

Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, është emri kryesor i përmendur në skandalin e zbuluar financiar në Slloveni ku dyshohej se kandidati për kryeministër atëherë (tash fitues i zgjedhjeve), Robert Golob, ka bërë shpëlarje parash dhe atë e ka ndihmuar ambasadori Berishaj.

Sipas lajmit të publikuar, një kompani energjetike ballkanike, dega në Serbi, i transferonte para kompanisë MB Consulting, pronar i së cilës është Martin Berishaj. Ky i tërhiqte paratë nga xhirollogaritë dhe në kesh ia dorëzonte Golob-it.

Martin Berishaj është mik i ish-kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha. Ai e ka vizituar Janshën disa herë në zyrën e tij dhe, për më tepër, publikisht në vitin 2018 kishte kërkuar nga shqiptarët në Slloveni që të votojnë për Janshën.

Media që e ka zbuluar skandalin është Planet TV, në pronësi të Jozsef Vida. Në Slloveni thuhet se ai është oligark hungarez i rrethit të ngushtë të Viktor Orban, autoritarit hungarez. Derisa opozita sllovene e konsideronte Janshan të afërt me Orbanin.

Më 20 dhjetor të vitit 2021, Martin Berishaj, u emërua ambasador i Kosovës në Kroaci. Berishaj ka zëvendësuar ish-ambasadorin e Kosovës në këtë shtet, Gëzim Kasapollin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore