Lajme

A ekziston rreziku i një “epidemie sizmike”?


Tërmetet që goditën Turqinë jugore dhe Sirinë veriore janë pjesë e një sekuence të vetme sizmike të lëshuar në kryqëzimin e katër pllakave që përplasen vazhdimisht.

Ndaj e gjithë zona klasifikohet ndër ato me rrezikshmërinë më të lartë në Mesdhe.

Ka pasur një rrëshqitje horizontale, pra në të njëjtin rrafsh, të pllakës së Anadollit drejt jugperëndimit në lidhje me pllakën Arabica.

Kjo ka gjeneruar një lloj defekti me një hipoqendër, domethënë vendin e thellë ku shpërthen, midis 15 dhe 20 kilometra.

Nga vlerësimet, Turqia ka rrëshqitur nga pesë deri në gjashtë metra në krahasim me Sirinë. Megjithatë, të dhënat më të sakta do të jenë të disponueshme në ditët në vijim pas zbulimit me satelitët ESA Sentinel dhe ASI CosmoSkymed.

Ndërkohë, prishja masive përfshiu një zonë 190 kilometra të gjatë dhe 25 të gjerë, duke tronditur me forcë tokën dhe duke shkaktuar një sekuencë që arriti në dy majat më intensive me një distancë prej nëntë orësh.

Por në realitet toka vazhdoi të dridhej dhe të shkatërrohej me një intensitet shpesh të konsiderueshëm, rreth 5-6 gradë të shkallës Rihter.

Po ashtu janë shtuar edhe një numër i pafund lëkundjesh të vogla, rreth 200 në orët e para.

Nga ana tjetër, një fenomen i këtij intensiteti mund të zgjasë për një kohë të gjatë. Lidhet me manifestimin e një lloj “epidemie sizmike” të zgjatur, e cila mund të vazhdojë për ditë, ndoshta muaj nëse jo vite, siç ka ndodhur në disa raste në të kaluarën.

Edhe pse është e pamundur të parashikohet, derisa energjia e akumuluar të çlirohet fenomeni nuk do të ndalet.

Energjia e çliruar nga dy goditjet më intensive arriti nivele shumë më të larta se tërmetet që kanë goditur Italinë në dekadat e fundit.

Madje është vlerësuar se i pari ishte rreth 500 herë më i lartë se ai i manifestuar nga tërmeti Amatrice i vitit 2016 dhe 30 herë më i lartë se në Irpinia në vitin 1980.

Sakaq, tërmetet më katastrofike të regjistruara janë të gjithë të një niveli të ngjashëm me të fundit.

Veçanërisht tërmeti i Erzincanit i vitit 1939 (7.8 ballë), i cili shkaktoi 38 mijë viktima, ose më të fundit në Izmit (7.6 sipas shkallës Rihter), me 17 mijë të vdekur.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore