Shqipëria

A e kupton Evropa Ballkanin?


Hartë ilustruese e Ballkanit Perëndimor, të rrethuar nga shtetet ballkanike, anëtare të Bashkimit Evropian

“Ju nuk mund ta kuptoni sa i thellë dhe sa serioz është problemi midis dy vendeve tona”.

Në këtë fjali, përmblidhet gjithë diskursi politik i Bullgarisë në gjashtë muajt e fundit, ku përpara 26 anëtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian, kulmoi me lajmin jo të mirë për dy vende ballkanike, në prag të negociatave: “Veton, nuk e heqim”.

Më 17 nëntor të vitit 2020, Këshilli i Punëve të Përgjithshme, u mblodh për të diskutuar çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Dakordësia, ishte e gjerë midis palëve: “Maqedonasit” – ndikuar edhe nga efektet e post-marrëveshjes së Prespës – “i kanë plotësuar të gjitha kushtet për të hapur negociatat”.

“Jo!”, ishte britma e një zëri femëror ndër ministrat e Jashtëm të unionit. “Sofja, nuk e jep miratimin për hapjen e negociatave”.

Ekaterina Zaharieva, në atë kohë ministre e Jashtme e Bullgarisë, pjesëmarrëse në takim, dha një lajm, i cili do të vazhdojë të ketë edhe sot efekt – jo vetëm ndaj maqedonasve – dhe do të kushtojë kohë në nisjen e një dialogu integrimi, të pritur prej muajsh, në mos vitesh.

Bullgaria, “vendos veton e saj legjitime” ndaj Maqedonisë së Veriut, për të bllokuar negociatat!

Evropa nuk arrin të na kuptojë

“Për të kuptuar situatën e ndërlikuar politike në gadishullin e Ballkanit, ndonjëherë mund të vijnë në ndihmë shembuj në formën e pyetjeve kundër-faktuale. Për shembull, a mund të imagjinojmë Gjermaninë t’i kërkojë Vienës të njohë zyrtarisht se Mozart-i ka qenë gjerman, në mënyrë që ata të bashkohen në Bashkimin Evropian?”.

Tchavad Marinov, është një studiues bullgar, me në vëmendje historiografinë e pyetjeve mbi Maqedoninë e Veriut.

Mbi veton, ai fliste që pa u vendosur ajo!

Thelbi i kësaj çështjeje sipas tij, është pikërisht trashëgimia e diskutueshme midis dy vendeve.

“Bullgaria ka dështuar të përfshijë territorin maqedonas brenda vetes ndër dekada”, shkruan ai, duke iu referuar periudhës që prej vitit 1944.

Lufta madje, nuk është një luftë pushke sipas tij, por akademike.

Trashëgimi e kontestuar

Në tre dekadat e fundit, Maqedonia e Veriut ka ndryshuar ndjeshëm.

Fillimisht, ishte viti 1991, në të cilin ajo u shkëput tërësisht nga ish-Jugosllavia. Prej thuajse tre dekadash e njohur si Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, në vitin 2019, ajo u riemërua si Maqedonia e Veriut, falë marrëveshjes së Prespës, ku përfshihej edhe pala greke me pretendimet e saj.

27 vjet mosmarrëveshje me Greqinë, u shuan nga boja e dy stilografëve në atë akord buzë liqenit të ndarë midis tre shteteve ballkanike.

Por, pararendës nga Prespa, ishte një “Traktat miqësie, fqinjësie të mirë dhe bashkëpunimi”, i firmosur ndërmjet Maqedonisë së atëhershme dhe Bullgarisë, në vitin 2017.

Mbi këtë traktat, u ngrit edhe një komision i përbashkët. Qëllimi? Propozimi i formulave në lidhje me “të shkuarën e përbashkët”. Por, një formulë, e cila mund të ishte e përkrahur dhe e pranuar nga të dy palët.

Ky komision “përbashkimi”, përçau edhe më shumë dy vendet, siç e shpjegon edhe Marinov.

“Nga njëra anë, ishte Shkupi, me një mision minimal: Rekomandimin e rishikimit të teksteve shkollore”, zbërthen dinamikën studiuesi bullgar. “Nga ana tjetër, Sofja formoi një ekip historianësh e diplomatësh, të cilët kishin edhe pozita të larta”.

Pra, në vend të akordit, kishim një kah me “gjeneralë” dhe një kah tërësisht të papërgatitur.

Avantazhi evropian

Bullgaria, është një ndër të paktat vende ballkanike, të cilat gjenden brenda BE-së. Si e tillë, ajo gëzon një lloj avantazhi evropian në raport me vendet e tjera të rajonit, të cilat nuk janë anëtare.

Për Marinov-in, kjo u kthye në bullizëm.

“Avantazhi ishte i dukshëm. Vetëm e drejta e vetos, është një avantazh jo i vogël”.

Pikërisht për këtë fakt, Sofja, gjithçka bëri, ishte ofrimi i një “zgjedhjeje të rreme” për palën maqedonase: “Pranoni të vërtetat historike, ose përballuni me veton bullgare për negociatat me BE-në”.

Kjo, nisi një sërë dinamikash në politikat e brendshme të Bullgarisë.

Aq, sa Sofja i dërgoi vendeve të tjera anëtare, një “memorandum shpjegues”, të cilin Marinov e quan “nacionalist”.

Memorandum, i cili e fshinte komplet identitetin maqedonas. Këta të fundit, cilësoheshin si popullsi sllave, që prej Luftës së Dytë Botërore.

Gjuha maqedonase u cilësua si e bazuar në atë bullgare. Madje, u kërkua që elita politike maqedonase, të pranonte rrënjët bullgare.

Gjithë këto kërkesa, pa rezultate.

Fqinj të mirë, por në luftë

“Ne jemi fqinj të mirë, por ligjërisht jemi edhe në luftë – një dashuri tipike ballkanike”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, fill pas mohimit të radhës të hapjes së negociatave, do ta përkufizonte kështu raportin e shtetit shqiptar me atë grek, duke iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, ligjit të luftës ndaj Shqipërisë, i cili është ende aktiv në vendin helen.

Tipike ballkanase, është edhe historia e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut. Në 2017-ën, një marrëveshje “miqësie dhe fqinjësie e mirë” u nënshkrua. Por, katër vjet më pas, Bullgaria – një shtet ballkanik – është bllokada e vetme ndaj dy simotrave të rajonit, të cilat duan të aderojnë pranë të njejtës strukturë si ajo.

Këto probleme, i ka pasur edhe Evropa, pavarësisht se në shekuj të mëparshëm.

Por, në kohën e sotme, falë edhe një vëmendjeje të shtuar dhe ndjeshmërie në rritje mbi çështjen – rol ky edhe mediatik – Evropa nuk kthehet të rikujtojë historinë e saj shekullore.

Për Evropën, “Bullgaria ka probleme endemike”. Një ndër to, është korrupsioni dhe shpërdorimi i fondeve të BE-së.

Por, bullgarët, kanë interes të promovojnë veten e tyre. Një vetvete, që sipas Marinov-it, është “promovim i interesave të sëmura kombëtare”.

Gjermania, ka qenë ndër goditëset më të forta të bllokadës bullgare, edhe publikisht. Por, kjo, nuk ka mjaftuar.

Është tashmë një rreth i shndërruar në rutinë. Aq sa, kryeministri Rama, deklaron haptazi se “nuk i bën më përshtypje shtyrja e negociatave për të tilla çështje”.

Për Marinov-in, sjellja e Bullgarisë – thënë kjo nga një studiues bullgar – reflekton vetëm mjerimin politik e diplomatik të shtetit. Mirëpo, sërish, ai e cilëson që në fillim të rrëfimit të tij, se Evropa, nuk e kupton Ballkanin.

Ndërsa, për t’u kuptuar, në thelb akoma më me rëndësi, është të dihet se çfarë do të ndodhë në shtator.

Dy muaj janë përpara dhe një tjetër vend ballkanik, Sllovenia, është zotuar se do të ketë zgjidhje për ngërçin.

Ngërç, i cili kalon në konfliktin bilateral të dy shteve, mbi të cilin anëtarët e unionit, nuk kaluan dot. Kjo pavarësisht unanimitetit në qëndrim.

Qëndrim evropian, i cili ende duhet parë, nëse e kupton apo jo Ballkanin!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore