Lajme

A duhet të jetë “Ekonomia Shtëpiake” lëndë edukative në shkolla


Problemi global i mësimdhënies dhe mësim nxënies në vitin e fundit për shkak të masave mbrojtëse kundër COVID -19, ka bërë që shumë vende të botës të bëjnë adaptimin e procesit mësimor në forma të ndryshme, përfshirë edhe atë online.

Këtyre ndryshimeve me domosdoshmëri iu përshtat edhe Kosova, duke bërë që mësimi njëherë të mbahej vetëm online, e më pas me gjysmë orari në shkollë e gjysmë në shtëpi.

Këto ndryshime sollën vështirësi të shumta tek mësimdhënësit, tek fëmijët dhe prindërit në adaptim të situatës së re.

Ambientimi i mënyrës së mësimdhënies në shtetet skandinave, veçanërisht  për Finlandën nuk ka qenë shumë i rëndë. Kjo për faktin se fëmijët finlandez përveç lëndëve edukative kanë edhe lëndën e Ekonomisë Shtëpiake.

Kjo lëndë e re për kurrikulat e vendeve evropiane sigurisht edhe për atë Kosovare, ngërthen në vete zhvillimin e aftësive dhe shkathtësive të fëmijëve në gatim, pastrim, hekurosje, kujdes për të moshuarit, familjen, orenditë shtëpiake duke krijuar kështu shprehi pune dhe respekt ndër gjinor.

Këtë lëndë, pjesë të plan programeve mësimore në Kosovë e ka përfshirë shkolla finlandeze.

Alejtin Berisha, shef ekzekutiv në “Shkollën Finlandeze” në Kosovë, ka thënë për Albanian Post se Ekonomia Shtëpiake është lëndë e cila ofron përftime të shumta për nxënësit dhe zhvillon shkathtësitë në shkencë, pasi gatimi është shkencë ndërsa zhvillon edhe kreativitetin në të njëjtën kohë.

Sipas tij, kjo lëndë do të ishte shumë me interes që të jetë pjesë e gjithë shkollave.

“Nuk kërkon shumë kosto pasi shumica e tyre mund të sigurohen përmes mbështetjeve nga firmat që shesin produkte ushqimore”, tha ai.

Tutje ai shtoi se “normalisht, kërkohet hapësira, kabinete të pajisura që kjo lëndë të mund të realizohet”.

Pandemia ka ndikuar negativisht në të gjitha sferat e jetës ku edhe vendet me sistem shumë të avancuar të sistemit arsimor kanë probleme me rënien e cilësisë në arsim.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Kosovë, ka hartuar planin për t’iu përshtatur rrethanave për mbajtjen e mësimit në kushte pandemie që mësimi të zhvillohet në harmoni dhe koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit.

Sipas raporteve të DKA-ve dhe shkollave mësimi në kohë pandemie është menaxhuar në bazë të grupeve të task forcave të cilat janë formuar në kuadër të shkollave.

Gjatë kësaj periudhe në një pjesë të shkollave mësimi është zhvilluar në bazë të tre skenarëve. Skenarin A, klasat janë ndarë në dy grupe duke e shkurtuar orën e mësimit në 30 minuta të mësimit varësisht nga kushtet e shkollës.

Sipas skenarit B, një pjesë e nxënësve e ka vijuar mësimin në klasë e pjesa tjetër mësimin e kanë ndjekur përmes platformave digjitale nga shtëpia -kjo formë është bërë me rotacion.

Ndërsa përmes skenarit C, të gjithë nxënësit mësimin e kanë ndjekur përmes platformave digjitale për një javë ose dy.

Këto forma të mësimit janë zhvilluar në bazë të analizave të cilat i kanë bërë Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) duke i koordinuar veprimet me Ministria e Arsimit dhe SHkencës (MASH).

Mësimdhënësit u janë përshtatur rrethanave të reja për zhvillimin e mësimit në kushte të pandemisë dhe në këto kushte janë munduar që ta japin maksimumin, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që i kanë pasur në dispozicion.

Në bazë të raporteve ditore të cilat janë mbajtur në linjën shkollë, DKA dhe MASH nuk është evidentuar ndonjë pakënaqësi e theksuar nga prindërit, megjithatë MASH ka qenë i shqetësuar se mësimi në kohë pandemie nuk mund të jetë në nivelin e duhur.

Tutje, MASH  për Albanian Post, ka treguar se vazhdimisht është duke i koordinuar politikat e saj me DKA-të dhe shkollat për të zhvilluar mësimin në kushte pandemie, duke ju përshtatur rrethanave të reja.

Sipas statistikave të MASH, në gjysmë vjetorin e parë të vitit shkollor kanë qenë të infektuar me COVID-19 2 mijë e 452 mësimdhënës, ndërsa që nga fillimi i gjysmë vjetorit të dytë 189 mësimdhënës.

“Aktualisht, është vetëm një shkollë në Nekadoc të Vushtrrisë, e cila për momentin është duke zhvilluar mësim online, për shkak se pesë mësimdhënës kanë rezultuar pozitiv me COVID-19”, njofton MASH.

Mësimi online dhe mos prania fizike e nxënësve në klasa, përbën problem edhe për mësimdhënësit, të cilët kanë hasur vështirësi tek kjo platformë.

Këtë e thotë edhe një ndër profesorët e gjimnazit, “Sami Frashëri”, në Prishtinë.

“Edhe pse po mundohemi të realizojmë plan programin po kemi vështirësi, sepse nuk është e njëjtë sikurse prania fizike e nxënësve nëpër klasa dhe sikur ajo online”, ka thënë profesori Ilmi Reçica.

Ai është shprehur i kënaqur me suksesin e nxënësve gjatë këtij viti, pavarësisht se nuk ishte suksesi të cilin e synojnë si mësimdhënës.

“Vështirësitë e tilla si mungesa e teknologjisë tek shumë nxënës si pajisjet kompjuterike  por edhe mungesa e rrjetit në shkollën, ”Sami Frashër” , nuk na lënë shumë hapësirë dhe mundësi të zhvillojmë një orë mësimore siç duhet në mungesë të instalimit të rrjetit”, tha ish-drejtori Reçica.

Procesi arsimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, si dhe provimet, punët praktike dhe laboratorike do të organizohen sipas plan-programit të institucioneve përkatëse në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore