Shëndet

A duhet ta fajësojmë metabolizmin për peshën e tepërt?


Ilustrim

A po e zhvendosni fajin për mbipeshën në një metabolizëm më të ngadaltë për shkak të plakjes? Jo kaq shpejt. Rezultatet e një studimi të ri ndërkombëtar janë në kundërshtim me besimin popullor se metabolizmi bie në mënyrë të qëndrueshme me moshën. Deri në moshën 60 vjeç, metabolizmi juaj është i njëjtë me atë të njëzetave.

Një ekip ndërkombëtar ekspertësh analizoi parametra të shumtë në 6 mijë e 400 njerëz, të moshës nga 8 ditë deri në 95 vjeç nga 29 vende të botës. Ata zbuluan se metabolizmi mbeti i njëjtë për një pjesë të mirë të viteve “të mesme”. Ajo arrin kulmin e saj në vitin e parë dhe nga vitet e 20 deri në 60 ruhet në mënyrë të qëndrueshme në të njëjtin nivel.

Për të përcaktuar efektin e moshës në metabolizëm, studiuesit rregulluan faktorë të tillë si madhësia dhe pesha e trupit (trupat më të mëdhenj djegin më shumë kalori për të ruajtur), sasinë e yndyrës dhe indit muskulor (muskujt djegin shumë më tepër kalori sesa yndyrat).

“Proceset metabolike mbeten të qëndrueshme gjatë jetës sonë të rritur, nga mosha 20 deri në 60 vjeç”, tha udhëheqësi i studimit Herman Ponzer, një profesor i antropologjisë evolucionare në Universitetin Duke.

Për ekspertët ishte veçanërisht interesante që ata nuk vunë re një ndryshim në metabolizmin gjatë menopauzës, pubertetit apo shtatzënisë.

Si e kanë llogaritur shkallën e metabolizmit?

Studiuesit përdorën një test të veçantë uji. Në të, njerëzit që i nënshtroheshin testit pinin ujë në të cilin një pjesë e hidrogjenit dhe oksigjenit u zëvendësua nga izotopet e atyre elementeve që mund të gjurmohen në mostrat e urinës.

“Duke llogaritur sa hidrogjen dhe oksigjen humbim në ditë, mund të llogarisim sa dioksid karboni prodhon trupi ynë. Është një matje shumë e saktë se sa kalori digjni çdo ditë, sepse nuk mund të digjni kalori pa krijuar dioksid karboni”, shpjegon Ponzer.

Studiuesit analizuan konsumin total ditor, i cili përfshin kaloritë që djegim në të gjitha proceset trupore, nga frymëmarrja, tretja e ushqimit deri te të menduarit dhe lëvizja e trupit.

“Nuk ka asgjë më thelbësore se si trupi ynë djeg energji, sepse tregon se sa të vlefshme janë të gjitha qelizat tona gjatë ditës duke bërë gjëra të ndryshme. Nevojitet një mostër e madhe për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje dhe kjo është hera e parë që ne kemi zbatuar vërtet diçka të tillë”, tha Ponzer.

Fazat e ndryshimit të shkallës metabolike

Pas rregullimit të parametrave dhe marrjes parasysh të rezultateve të grupimeve të ndryshme në kampion, ekspertët identifikuan katër faza.

– nga lindja deri në vitin e parë kur metabolizmi përshpejtohet nga ai që është i harmonizuar me atë të nënës dhe arrin kulmin me 50 përqind konsum më të lartë në krahasim me të rriturit;

– periudha nga viti i parë deri në të 20-at, gjatë së cilës metabolizmi gradualisht ngadalësohet pak dhe nuk është vënë re përshpejtimi i tij gjatë pubertetit;

– nga mosha 20 deri në 60 vjeç, metabolizmi mbetet në të njëjtin nivel;

– nga mosha 60 vjeçare deri në fund të jetës, proceset metabolike ngadalësohen ndjeshëm, dhe deri në moshën 90 vjeç, metabolizmi është rreth 26 për qind më i ngadalshëm se në moshën e mesme.

Epidemia e obezitetit

Fakti që kërkimet e reja kanë treguar se ka dallime shumë të vogla midis konsumit të kalorive gjatë adoleshencës dhe moshës madhore është gjithashtu i rëndësishëm për shkak të zgjidhjes së mundshme të epidemisë së obezitetit.

Shumica e njerëzve obezë, veçanërisht në vendet e zhvilluara, shtojnë peshë në moshën madhore.

Gjetjet tregojnë se epidemia e obezitetit është për shkak të marrjes së tepërt të kalorive dhe jo, siç besohet gjerësisht, nga ngadalësimi i metabolizmit gjatë plakjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore