Lajme

“A do të guxojë prokuroria të marrë në pyetje Vuçiç-in dhe Vulin-in?”


“Dëshmitë e të akuzuarve për vrasje brutale dhe rrëmbime, kundrejt Veljko Belivuk-ut dhe Marko Milljkoviç-it, duhet t’i marrim me shumë rezerva. Mirëpo, marrë parasysh peshën e akuzave, dhe faktin se disa nga deklarimet e tyre dolën të jenë të vërteta, atëherë me të vërtetë duhet që presidenti dhe ministri i brendshëm i Serbisë të dalin si dëshmitarëve në gjyq”.

Kjo po del të jetë së paku një konsensus në opinionin publik serb, sipas mediumit serb “Danas”.

Çështja tjetër, dhe po aq e rëndësishme në opinionin publik serb, është se a do të ketë guximin prokuroria të thërrasë zyrtarët më të lartë shtetëror në vendin e dëshmitarëve.

Veljko Belivuk, krimineli i arrestuar për vrasje dhe torturë, ktheu përmbys debatin publik në Serbi me deklarimin e tij para prokurorisë se ‘Vuçiç më ka kërkuar shërbime të ndryshme’, dhe Milljko Millkoviç, krahu tjetër i të parit tha se “Vulin-i zgjodhi shtëpinë në Ritopek”, ku sipas autoriteteve të policisë serbe, thuhet të jenë kryer vrasje.

Avokati serb, Jovica Todoroviç, për të përditshmen “Danas” ka thënë se pretendimet e kriminelit Milljkoviç duken shumë më të qarta dhe bindëse se sa komentet e Vuçiç-it, Vulin-it dhe këshilltarit të tij Vujaçiç.

“Parë në aspektin penalo-juridik, deklaratat e Marko Miljkoviç kanë rëndësi indikative për përfshirjen e personave të caktuar në aktivitete të një grupi të organizuar kriminal. Sido që të jetë, këto indikacione janë mëse të mjaftueshme që organet kompetente të ndjekjes penale të kontrollojnë vërtetësinë e pretendimeve të tij”, ka thënë Todoroviç.

Sipas tij, faktet, nëse janë fakte, mund të vërtetohen fare lehtë, por se në një regjim të tillë kjo është gjë shumë e vështirë, në mos e pamundur.

“Por, pasi bëhet fjalë për indikacionet që ngarkojnë zyrtarë të lartë shtetërorë për lidhje me krimin e organizuar, nuk pritet që kjo të ndodhë, ndërsa Aleksandar Vuçiç dhe organizata e tij janë në pushtet”.

“Sepse ata shfuqizuan pavarësinë, autonominë dhe profesionalizmin në punën e policisë dhe prokurorisë publike në Serbi. Vuçiç shfuqizoi të gjitha institucionet shtetërore pikërisht në mënyrë që indikacionet e tilla në lidhje me lidhjen e tij me aktivitetet kriminale të mos hetoheshin” – thekson Todoroviç.

Todoroviç vlerëson se në një shoqëri të mirëfilltë që trupëzon vlera morale konsistente, të kesh këso implikimesh në krim, do të ishte e mjaftueshme që një ministër e këshilltarë të dorëhiqeshin automatikisht.

“Jo sepse pjesëmarrja e tyre në kryerjen e veprave kriminale është provuar, sepse natyrisht nuk provohet me deklarata të Miljkoviç-it ose Belivuk-ut, por sepse është turp, është moralisht e papranueshme që të shfaqet bindshëm një lidhje pak a shumë e drejtpërdrejtë ose edhe indirekte me aktivitetet e një prej grupeve më brutale kriminale të zbuluara ndonjëherë në Serbi”, vazhdoi avokati serb.

Ndër të tjera ai tha se morali publik s’është mirë të tolerojë këso gjërash, dhe as për nga aspekti politik e as ai sociologjik, sepse krejt këto futen në rendin dhe rregullin publik.

“Është e qartë si kristali që indikacione kriminale kanë arritur deri në majën e hierarkisë së shtetit e mëveshur në Aleksandër Vuçiç-in”.

Radojlub Sabiç, avoktar dhe ish-komisioner i Informacionit me Rëndësi Publike, në një përgjigje për “Danas” tha se është skeptik se prokuroria do t’i marrë në pyetje dy krerët e shtetit të implikuar në këtë rast.

Ai beson që nëse një procedurë e tillë do të nisej, atëherë mbrojtja do të këmbëngulte për ballafaqim të barabartë mes palëve “pasi që ekziston një kundërthënje e plotë mes asaj që deklarojnë ata në media dhe se çka kanë deklaruar ata në prokurori”.

“Këtë gjë do ta shohim nëse gjykata do të guxojë të pranojë propozimet. Jo vetëm deklaratat, por edhe disa fakte të ndryshme tregojnë se ekziston dyshimi i lidhjeve dhe bashkëpunimeve mes klanit dhe njerëzit në maje të shtetit”.

“Por unë jam jashtëzakonisht skeptik në lidhje me mundësinë që procedura të zhvillohet në një mënyrë të tillë që të sqarojë të gjitha polemikat në lidhje me dyshimet për një lidhje midis klanit dhe politikës, dhe nëse ato provojnë se janë të bazuara, për t’i sanksionuar ato . Fatkeqësisht, në këtë moment, duket se është një detyrë shumë e vështirë për gjyqësorin tonë të tronditur rëndë”, përfundon Sabiç.

Aleksandar Vuçiç e cilësoi si marrëzi propozimet që ai dhe Ministri i Policisë, Aleksandar Vulin, të merren në pyetje në lidhje me dëshminë e Belivuk-ut dhe tha se “nuk ka njeri që u beson atyre, urrejtja e tyre është patologjike. Ata s’mund të bëjnë politikë më mirë se ne, kështu që duan të shkatërrojnë jetët dhe familjet tona, duke krijuar atmosferë negative që do të na çonte kush e di se ku”.

Ndër të tjera ai tha se nuk e ka ditur që anëtarë të bandës së Belivuk-ut kanë marrë pjesë në ceremoninë përuese të tij si president i Serbisë, e as që ka shpërthyer dhunë në stadiume të futbollit për shkak të fyerjeve që janë bërë ndaj tij.

Vuçiç e mohoi se Belivuk ishte anëtar i partisë së tij progresive, dhe tha që “le të vijë Belivuk-u e ta dëshmojë një gjë të tillë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore