Euro 2020

A do të dënohen Ronaldo e Pogba për anti-reklamën e sponsorëve të “Euro 2020” – UEFA jep përgjigje për Albanian Post


Momenti kur Ronaldo largoi shishet e Coca Colas dhe më pas Pogba duke larguar shishet e birrës

Cristiano Ronaldo, Paul Pogba e Manuel Locatelli, janë bërë futbollistët e shumëpërfolur në Kampionatin Evropian.

Largimi nga tavolina i produkteve të sponsorëve në “Euro 2020”, gjatë konferencës për media, tashmë jamë bërë pamje me miliona klikime.

Gjesti i Ronaldo-s, kur i largoi dy shishe të Coca-colas nga tavolina e konferencës për media, thuhet se i ka kushtuar kompanisë në rënien e aksioneve në vlerë prej 4 miliardë euro.

Gjithashtu edhe mesfushori i Francës, Paul Pogba, gjatë një konference për media, largoi nga tavolina një shishe të birrës Heineken.

Për shkak të këtyre humbjeve dhe kapaciteteve masive që kanë këto dy kompani, shumë kush ngriti dilemën e ndonjë padie eventuale për Ronaldon e Pogban, apo për UEFA-n.

Por, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, nga UEFA kanë bërë të ditur se as dënime e as padi nuk priten.

“Po iu tregojmë pozicionin e Heineken-it në lidhje me këtë çështje: ‘Ne e respektojmë plotësisht vendimin e secilit kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e pijes së tij të preferuar’”, thuhet në shkrimin e UEFA-s lidhur me vendimin e kompanisë Heineken.

Gjithashtu edhe kompania Coca-cola, ka të njëjtin qëndrim siç shpjegohet në përgjigjen me shkrim të UEFA-s.

“Të gjithë kanë të drejtë për preferencat e tyre për pije. Coca-Cola ofron një gamë të pijeve për t’iu përshtatur shijeve dhe nevojave të ndryshme, të cilat janë në dispozicion të lojtarëve gjatë gjithë turneut. Kjo përfshin ujë, pije dhe lëngje isotonike sportive, kafe dhe çaj, si dhe Coca-Cola”, shkruan UEFA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore