Lajme

A do ta pranojnë mjekët kosovarë ofertën e Ramës për vaksinim?


Oferta e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për vaksinimin e 50 mjekëve nga Kosova, është konsideruar e papranueshme nga kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësor në Kosovë, Blerim Syla.

Ai thotë se janë 14 mijë mjekë në Kosovë, ndaj s’ka si të zgjedhen vetëm 50 prej tyre.

Në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, Syla ka deklaruar se fillimisht e ka mirëpritur shqyrtimin e Ramës për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë, mirëpo në momentin që ka ndryshuar në vetëm 50 vaksina, oferta e qeverisë shqiptare është bërë e papranueshme.

“Ata që duan të shkojnë ta marrin vaksinën askush nuk do t’i ndalojë mirëpo ajo është çështje më shumë individuale se sa e përgjithshme”, u shpreh Syla.

Sa i përket përzgjedhjes së 50 mjekëve i takon Ministrisë së Shëndetësisë, sepse duhet të koordinohen dy Ministritë e Shëndetësisë, si ajo e Kosovës ashtu edhe ajo e Shqipërisë, që të shkojnë në mënyrë të organizuar e jo të shkohet në baza tjera.

Se cilët do të jenë mjekët që do të udhëtojnë për t’u vaksinuar ende nuk dihet – nuk e di as Syla.

”Nuk kam ndonjë informatë se cilët mjekë do të shkojnë në Shqipëri për vaksinim”, tha ai.

Albanian Post ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës për të kuptuar se si do të organizohet dërgimi i 50 mjekëve për t’u vaksinuar – nëse do të organizohet.

Nga ministria nuk kanë dhënë përgjigje të qartë. Kanë folur për vaksinat, por për ato që Kosova i ka porositur vetë.

“Së fundi, dje është bërë e ditur nga mekanizimi COVAX se 100 800 (Astra Zeneca) vaksina pritet të arrijnë në Kosovë për të filluar me vaksinim”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Më një janar, Rama, në një konferencë për media, pati deklaruar se Shqipëria ka siguruar 500,000 doza të vaksinës anti-COVID-19, nga kompania farmaceutike amerikane Pfizer.

Rama po ashtu kishte premtuar se një sasi e vaksinave do t’i jepet Kosovës, për të vaksinuar punonjësit shëndetësorë.

“Shqipëria nuk do t’ia kthejë shpinën Kosovës”, deklaroi Rama.

Por, për shkak të disa rregullave të vendosura nga kompania farmaceutike amerikane Pfizer, nga e cila Shqipëria ka blerë vaksinat, Rama nuk do të mund të realizojë premtimin për dërgimin e vaksinave në Kosovë.

Prandaj, u ka bërë ftesë 50 mjekëve nga Kosova të udhëtojnë për në Shqipëri që të vaksinohen.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore