Muzikë

Në hije – skenat dhe kultura e muzikës jashtë lupës së përditshme


Edhe pse jeta e natës përbën një aspekt mjaft të “zymtë” apo të zbehtë nga vëmendja popullore, një pjesë e madhe prej nesh e frekuentojnë dhe përqafojnë kulturën e muzikës elektronike.

Përmes pandemisë, rutinës, profesionit dhe zbavitjes, shtrihet një vijë e hollë drejtpeshimi mbi të cilën Deborah Leka ecën në mënyrë të ekuilibruar.

24 vjeçarja nga Tirana punon si dizajnere grafike dhe video-montazhiere. Por, ndërsa jeta e saj e përditshme rrotullohet te puna dhe angazhimet rutinore, një tjetër pjesë nga ajo vendosi të shprehet me anë të muzikës elektronike në lokalet, klubet e natës dhe diskot. Këtë “degëzim”, Deborah e quan “Deus Ex Machina”.

E ftuar në Albanian Post, Deborah foli për eksperiencën e saj si kontribuese dhe njëkohësisht si pjesë e bashkësisë së sferës së jetës së natës [apo artit alternativ], por edhe të problemeve të shëndetit mendor e fizik që shoqërojnë grupmosha të ndryshme para dhe gjatë pandemisë në këto organizime.

Në ç’gjëndje është jeta e natës në Tiranë?

“Është një lëmsh. Veç faktit që evenimentet nuk organizohen mirë, grupimet e njerëzve janë shpërbërë. Disa nga pandemia, disa të tjerë të konsumuar nga mungesa e kulturës – “Ka festë! Ku do gjejmë drogë?” – Rinia apo pjesëmarrës të grupmoshave të ndryshme nuk shijojnë muzikën. Janë mësuar ta shoqërojnë jetën e natës me vendndodhjen ku përdorin ose abuzojnë me substanca narkotike, për të përforcuar eksperiencën e jo ta jetuar siç vjen”.

Vështirësitë në kulmin dhe gjatë pandemisë? Po njerëzit, sa ndryshuan gjatë këtij tranzicioni?

“Pandemia nuk i ka ndaluar skenat e fshehta. Janë organizuar vazhdimisht, njëlloj si dikur dhe përherë, festa “jolegale”. Qendrat/vendet ku organizohen festat me muzikë elektronike kanë lirinë si kryefjalë – kjo vlen për këdo, sidomos në pistën e vallëzimit. Në këtë kontekst këto skena, si të thuash, i ekspozojnë njerëzit. Lehtësisht mund të kuptosh, përfshirë miqtë dhe njohjet e mija personale se, pandemia goditi dhe lirinë e cila është karakterisitike e këtyre skenave – ankthi, depresioni apo çrregullësi të tjera shoqëruese e kanë deformuar mënyrën autentike se si organizoheshin dhe zhvilloheshin më parë. Por me kalimin e kohës, ai shpërthim ekspresiv dhe shfryrje si rezultat i karantinës, u zbut dhe grupet arritën të kapin ‘normalitetin’, edhe pse kurrëherë si në fillim”.

A duhet konsideruar si art muzika elektronike?

“Fakti që emërtimi i nis me ‘muzikë’, mendoj se po. Unë jam rritur me muzikë klasike dhe rryma të ndryshme me bazë instrumentale, ende i shijoj. Arti nuk ka për qëllim të jetë ekzakt dhe gjithëpërfshirës, disa nga kryeveprat më të mëdha i drejtohen vetëm një grupi të caktuar, ose, atyre që mund ta kuptojnë apo që përpiqen të paktën. Nëse ndjell qoftë edhe diçka, është art”.

Sheh perspektivë për muzikën elektronike në Shqipëri?

“Po. Duke parë edhe vende të zhvilluara si Berlini (Gjermani), ku techno [rrymë e muzikës elektronike] është kryefjalë e diskove apo klubeve të natës dhe, ekziston një komunitet i mirëfilltë prej afërsisht gjysmë shekulli, edhe Tirana/Shqipëria besoj se do të arrijë të bëhet një ditë. Por kërkon investim dhe vlerësim, njëlloj si në vendet ku shteti bashkë me popullin kanë krijuar hapësira të posaçme për këtë industri, në mënyrë që të vetëzhvillohet. Mendoj se një mënyrë e mirë tregtie autonome, do të ishte fokusi më i lartë i muzikës me elementë tradicional, ndryshe nga komercialiteti që sheh vetëm fitimin. Problemi është që ky fitim, sado përfitime të ketë për individin, cënon në një farë mënyre embrionin tonë kombëtarë, sa i përket krijimtarisë”.

Përse Deus Ex Machina?

“Sepse edhe në momentet më të errëta, njëlloj si koncepti letrarë e filozofik, mrekullisht kam gjetur dritë dhe shpresë. Jam frymëzuar gjithashtu edhe nga filmat e animuar japonezë [anime]”. Uroj të njëjtën gjë për vendin tim dhe çdo njeri që po kalon ditë të vështira në këtë kohë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore