Muzikë

88 vjet më parë, u lind Nexhmije Pagarusha – “Bilbili i Kosovës”


Po të ishte gjallë, do festonte ditëlindjen e 88-të!

Ikona e muzikës së mirëfilltë shqiptare, e njohur edhe me nofkën “Bilbili i Kosovës”, Nexhmije Pagarusha, ka qenë njëra ndër artistet më të veçanta që historia e artit shqiptar ka njohur, kjo falë talentit, vokalit të saj të rrallë si dhe paraqitjeve të veçanta skenike të cilat thyen tabutë e kohës.

Pagarusha, u lind më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës, në Kosovë dhe gjithçka rreth karrierës së saj muzikore filloi qysh në moshën 14-rë vjeçare, kur ajo nisi të angazhohej si një solo këngëtare në “Radio Prishtina”.

Ani pse e re në moshë, ngarkesa dhe kushtet jo të mira në Radio Prishtina, nuk ishin problemet e vetme të Nexhmijes. Ndër sfidat me të cilat ajo u përball ishte edhe realiteti, ku të jesh femër dhe të këndosh konsiderohej “turp i madh”, sipas shoqërisë konservatore të asaj kohe.

Por, ishte pikërisht babai i saj, ai i cili nuk rreshti së përkrahuri vajzën e tij, duke e ndihmuar ta përballonte presionin në mjedisin konservativ të asaj kohe. Kështu përkundër paragjykimeve të kohës, ky yll nuk u la të shuhej, përkundër ai shndriti gjatë duke e bërë një komb të tërë krenar.

Se talenti i saj ishte i rrallë, e dëshmon edhe fakti se Nexhmije Pagarusha ishte në mesin e tri aktoreve të para (Katarina Josipi, Meribane Shala) të Teatrit të ri të Prishtinës. Drama “Zjarri dhe Ashi” e shkrimtarit rus Anton Çehov, ishte shfaqja e saj e parë teatrale.

Pagarusha, krijoi një repertuar me përplot hite, në gjuhën shqipe dhe atë serbe, që e bënë atë ndër më të kërkuarat e kohës.

Karrierën e saj muzikore e përfundoi pas një koncerti në Sarajevë, më 1984. Nuk ekziston një burim i sakt që tregon se sa këngë gjithsej ka kënduar Pagarusha, por që numri aludon të variojë me rreth 150 këngë të interpetura nga ajo.

Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea.

Pesë vite më vonë ajo ishte pjese e jurisë së festivalit “Kënga Magjike 2005”. Për një kohë të gjatë punoi si këshilltare e lartë për muzikë në Radio Kosova dhe Radio Blue Sky.

Më 2018, Nexhmije Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga Donald Trump, i cili në atë periudhë ishte president i Kombeve të Bashkuara të Amerikës.

Nexhmije Pagarusha u nda nga jeta me shtatë shkurt të vitit 2020, në moshën 86 vjeçare, duke lënë pas një histori të ndritur dhe një bagazh të pasur artistik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore