Lajme

83 kg heroinë destinacion e kishin Turqinë, ishin fshehur në reflektor


Ilustrim

Kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, në një konferencë për media ka thënë se shtatë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë pasi janë gjetur 83 kilogramë të llojit të drogës heroinë në pikën kufitare më Maqedoninë e Veriut, konkretisht në Han të Elezit, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim nga organet e rendit.

“Kjo ngarkesë me 83 kilogramë është ngarkuar në Turqi dhe destinacion ka pasur Prishtinën, gjatë kontrollimit është dyshuar se në mjetin transportues kanë qenë 32 reflektorë dhe në ata kanë qenë të futur 160 paketime me heroinë, i njëjti mall është sekuestruar nga policia”, tha Jashari.

“Po ashtu janë sekuestruar edhe një kombi e një veturë e tipit Land Rover. Ndërsa janë bastisur edhe disa lokacione, në Pejë edhe Prishtinë është duke vazhduar bastisja edhe në pesë lokacione të tjera”, ka shtuar ai.

E në anën tjetër, Ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, pasi ka kumtuar lajmin se janë sekuestruar mbi 80 kilogramë lëndë narkotike të tipit heroin ka thënë se dy kriminel më shumë do të jenë në burgjet e Kosovës.

“Kur mes institucioneve të ndryshme egziston vullneti për bashkëpunim të sinqertë për të siguruar sundim të ligjit e luftë ndaj krimit të organizuar, rezultatet nuk mungojnë. Përgëzime Doganës, Policisë dhe Prokurorisë!”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Policia e Kosovës apo më saktësisht Drejtoria e Hetimit të Trafikut të Narkotikëve, pas hetimeve të ndërmarra disa muaj të koordinuara me Prokurorinë Themelore për Krimet e Rënda në Prizren, me datën nëntë shkurt rreth orës 20:20 pas një operacioni taktik në fshatin Konushevcë të komunës së Podujevës ka konfiskuar 91 kilogramë lëndë narkotiket të tipit marihuanë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore