Shqipëria

8 punonjës të MSH-së kallëzohen në SPAK nga KLSH


Kontroli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht pranë Prokurorisë së Posaçme SPAK, tetë punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nën akuzën e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Sipas njoftimit nga vetë organi mbikëqyrës, çështjet kanë të bëjnë me procedura që lidhen me koncensione dhe partneritete publik privat, për ofrimin e shërbimeve laboratorike në spitalet universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës. Po ashtu, një prej akuzave lidhen me procedurën e prokurimit për blerje monitori pacienti për masat anti-COVID.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë ushtrimit të auditimit financiar dhe i përputhshmërisë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konstatuar shkelje të kryera nga ana e tetë funksionarëve të MSHMS, institucioneve në varësi të saj”, shkruhet në njoftim.

Shtatë prej punonjësve prej të cilëve janë evidentuar veprimet e kundërligjshme, janë anëtarë të Komisionit të Dhënies së Koncesionit/PPP. Veprimet e tyre, bien në kundërshtim me detyrimet ligjore që i atribuohen këtij komisioni. Po ashtu, edhe me dispozitat ligjore, të cilat normojnë procedurën e koncensionit në fjalë.

Tashmë fjala i kalon SPAK-ut, për të kryer hetimin mbi 8 funksionarët e akuzuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore