Lajme

8 mars, gratë e suksesshme u hapin udhë vajzave


“Ti e di që po flasim për ty apo jo?

Dua që kur të zgjohesh në mëngjes dhe të shikosh veten në pasqyrë,

të shikosh se sa hyjnore je.

Duhet të dish se je shembull për të gjitha ne

dhe ato që po rriten e që i kanë sytë nga ty”

Këto janë disa nga fjalët e mesazhit nga gra të njohura në Shqipëri, të cilat vijnë nga fusha të ndryshme dhe janë bërë bashkë në këtë 8 mars.

Në videon, e cila është realizuar nga regjisorja dhe producentja, Elkjana Gjipali, shfaqen emra të njohur të jetës publike, nga fusha të ndryshme si arti, politika, sporti dhe aktiviste në kauza të ndryshme sociale.

Çdo arritje e tyre është një udhë e hapur për brezin e ri të vajzave sot.

“Këtë 8 mars duam të sjellim një mesazh të rëndësishëm për të gjitha gratë dhe vajzat. Hapu udhë vajzave, Jo, nuk i drejtohem meshkujve kësaj here, por vetë neve”, shkruan regjisorja në përshkrimin e video-mesazhit.

Qëllimi i mesazhit është të përcillet te dëgjueset e tij, vetëbesimi se ato janë të forta, të mrekullueshme dhe se gjithmonë mund t’ia dalin mbanë edhe kur gjithçka duket se po shkon keq. Dhe më e rëndësishmja është se të gjitha njëherë kanë provuar në jetë, atë që ndoshta ti po kalon apo përjeton në këto momente.

Pjesë e video-mesazhit është bërë edhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Rama, por edhe emra të tjerë mjaft popullorë, si: inxhinierja Luljeta Bozo, ambasadorja e Suedisë, Elsa Halstaad, nënkryetarja e Bashkisë, Anuela Ristani, Brunilda Lahe, Elena Pici, Elsa Ballauri, Ema Andrea, Evis Kushi, Luiza Gega, Mariza Ikonomi, Marjana Kondi, Romina Kuko, Rudina Hajdari, Sihana Nebiu, Vera Bekteshi, Zhaklin Lekatari.

“Përpjekjet e tua nuk shkojnë dëm asnjë moment, ato i hapin udhë vajzave që po rrisim sot. Dhe vajzat e hapin udhën vetë”, përmbyllet kështu mesazhi me fjalën e inxhinieres Luljeta Bozo, e qeshur dhe motivuese për çdo vajzë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore