Shqipëria

78-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë, homazhe shtetërore në nder të dëshmorëve të Atdheut


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kanë marrë pjesë në ceremoninë e homazheve të mbajtura në nderim të dëshmorëve të rënë në Luftën Nacional Çlirimtare.

Me rastin e Ditës së Çlirimit, presidenti Begaj nderoi kujtimin e dëshmorëve të Atdheut duke vendosur një kurorë pranë Monumentit Nëna Shqipëri në Varrezat e Dëshmorëve.

Presidenti Begaj nderoi të gjithë heronjtë e Shqipërisë, që dhanë jetën e tyre për të mbrojtur vendin nga pushtuesit nazifashistë dhe shprehu mirënjohjen më të madhe përpara kujtimit të tyre.

Kryeministri i Shqipërisë nuk ishte i pranishëm, ndërsa kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj vendosi gjithashtu një kurorë në Monumentin Nëna Shqipëri.

78 vjet më parë Shqipëria u çlirua nga mësymja naziste.

Të pranishëm, në ceremoninë e zhvilluar në Varrezat e Dëshmorëve, ishin dhe figura të shquara të politikës shqiptare.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar Ditën e Çlirimit me një postim në median sociale “Facebook”.

“Gëzuar Ditën e Çlirimit”, shkruan kreu i qeverisë mëngjesin e 29 nëntorit.

Kryetarja e Kuvendit përshëndeti gjithashtu Ditën e Çlirimit të Shqipërisë.

“Prej 78 vjetësh festojmë Ditën e Çlirimit, me krenarinë e ligjshme që ushqen rreshtimi i me Kolacionin e Madh Antifashist dhe fakti se Shqipërinë e çliruan partizanët, luftëtarët dhe populli shqiptar”, u shpreh fillimisht kryeparlamentarja.

Sipas saj, më 29 nëntor nderohen çlirimtarët e Shqipërisë, partizanët, luftëtarët, heronjtë dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, veteranët dhe pasardhësit e tyre.

“Vlerat e antifashizmit dhe të lirisë, të cilat triumfuan në Shqipëri më 29 nëntor 1944, janë të pacënueshme, janë themeli i shoqërisë demokratike e perëndimore që po ndërtojmë. Shqipëria evropiane i ka rrënjët në Shqipërinë antifashiste”, thekson në përmbyllje Kryetarja e Kuvendit.

Rindërtimi i historisë

Më 29 Nëntor, 78 vjet më parë, Shqipëria u bë shtet sovran dhe i lirë.

Ishin 44 partizanë, të cilët ranë dëshmorë në këtë përpjekje.

Pjesa më e madhe e Shqipërisë ishte e çliruar dhe Shkodra, ishte “fortesa” e fundit për t’u marrë, në mënyrë që të përmbushej misioni. Pa të, vendi i shqiponjave nuk mund të quhej i çliruar.

Kryeqendra veriore e Shqipërisë ishte edhe një lloj kryeqendre shpirtërore e vendit, si dhe kryeqytet në lashtësinë e saj ilire.

Armiku e kishte përgatitur mbrojtjen me rreth 3 mijë deri në 4 mijë ushtarë të grumbulluar. Rreth 2 mijë e 500 bashkëpunëtorë të tjerë të tyre gjendeshin po ashtu në Shkodër.

Sipas informacioneve të kohës, sugjestionet janë se shumica prej tyre ishin kuislingë, të cilët kishin dezertuar Tiranën pas çlirimit të saj më 17 nëntor 1944.

Të mbyllur në Shkodër, sipas dokumenteve historike, kuislingët kishin krijuar një “qeveri” dhe disa të ashtuquajtura “forca të armatosura kombëtare”.

Së bashku me hitlerianët, ata kishin vendosur në qytetin verior një regjim perimetral territori.

Në konceptin operativ dhe taktik gjermanët qenë në Shkodër sa në tërheqje aq dhe në mbrojtje.

Shkodra kishte si fortifikim natyror liqenin, Drinin, Bunën dhe Kririn, po ashtu si nga ana tokësore kodrat e Berdëc, Beltojës, Bardhajve dhe Kalanë e Shkodrës.

Komanda e përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare nga ana tjetër, kishte ngarkuar shtabin e korparmatës së III-ë, komanduar nga dy kolonelë, Tahir Kadare dhe Tuk Jakova, për drejtimin e mësymjes përfundimtare kundër ushtrisë gjermane.

Sipas planit, do të ishin një sërë brigadash e divizionesh pjesë e sulmit. Në mbështetje të tyre, edhe grupi Partizan i Shkodrës. Në tërësi, do të ishin 6 mijë partizanë të ngarkuar me marrjen dhe çlirimin e Shkodrës.

Në disa ditë u shtri aksioni i partizanëve në Shkodër, por çasti vendimtar, ishte mesnata e 28 nëntorit 1994.

Gjatë asaj mesnate, goditjet filluan në të gjitha drejtimet. Ura e Muxharit ishte një ndër pikat kyçe – e cilësuar si porta veriore e Shkodrës. Një prej batalioneve shkëputi nga forcat kryesore praparojën e kolonës gjermane, kapi robër 30 ushtarë dhe shkatërroi disa prej mjeteve të tyre.

Të ndihmuar nga njësitë guerile dhe qytetarët, Shkodra, mëngjesin e 29 nëntorit, u zgjua e çliruar.

Fill pas kësaj ngjarjeje, komanda e përgjithshme në Tiranë do të njoftohej me radiogram për çlirimin.

29 nëntori, jo vetëm Shkodrën, por zyrtarisht, të gjithë Shqipërinë, e gjeti të çliruar nga pushtuesi nazi-fashist.

Si e tillë, Shqipëria do të ishte vendi i vetëm i Ballkanit, i cili do të çlirohej me përpjekje vetjake, pa ndihmën e Ushtrisë së Kuqe ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore