Bota

66% efikase vaksina e Johnson & Johnson


Vaksina e kompanisë Johnson & Johnson (J&J) ka shfaqur një efikasitet prej 66% në fazën e tretë të testeve globale të kryera. Gjithsesi, në rastet me sëmundje të rënda, efektshmëria ka qenë 85%.

Përsa i përket rasteve të moderuara, vaksina ishte 72% e efektshme. Për këto raste, testimi është kryer vetëm në SHBA. Veçantia e vaksinës së J&J, është se ajo ka nevojë vetëm marrjen e një doze për të mbrojtur pacientët nga Covidi.

Përqindja është larg atyre të vaksinave të Pfizer-it dhe Moderna-s. Dy prodhuesit amerikanë, garantojnë mbi 95% efikasitet. Gjithsesi, prodhimi i J&J-it, do të jetë i vlefshëm për sistemin shëndetësor.

Këtë fakt, e ka konfirmuar vetë Dr. Anthony Fauci. Për shkak të mungesës së prodhimit nga Pfizer-i dhe Moderna, dozat e J&J-it mund të rezultojnë jetike për lehtësimin e sistemit shëndetësor në Amerikë. Ky i fundit, po vuan fluksin e madh të shtrimeve në spital, që prej prillit të 2020-ës.

“Nëse mund të lehtësojmë ngarkesën, atëherë vaksina e re duhet të futet në treg”, deklaroi Fauci. “Madje jo vetëm kjo vaksinë, por edhe të tjerat të cilat marrin aprovimin”.

Avantazh tjetër i vaksinës nga J&J, është fakti se për shkak të marrjes në një dozë të vetme, ajo është më e lirë dhe më e thjeshtë për t’u shpërndarë. Mbetet për t’u parë nëse ajo do të marrë aprovimin e autoriteteve, për të hyrë në luftën kundër Covid-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore