Lajme

6 mijë kilometra katrorë i ka rifituar Ukraina vetëm në shtator


Një fitore e vogël ende, por me domethënie të madhe, është ajo e Ukrainës, e cila vetëm në gjysmën e parë të muajit shtator ka rifituar rreth 6 mijë kilometra katrorë sipërfaqe nga territori i pushtuar prej Moskës nga fillimi i agresionit rus me pikënisje më 24 shkurt 2022.

Vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në daljen e tij të përnatshme publike, e bëri me dije këtë rezultat, i cili nuk është verifikuar ende nga media apo struktura të pavarura.

Kremlini nga ana tjetër, e ka përqeshur pretendimin e Kievit, duke e quajtur “të turpshëm” dhe “keqinformues”.

Sipas Zelenskyt, i gjithë fokusi i Ukrainës do të jetë rajoni lindor i Donbass-it tashmë, duke qenë se ai është plotësisht i pushtuar nga rusët.

Donetsk-u dhe Luhansk-u, dy rajonet përbërëse të zonës industriale lindore në Ukrainë, prej muajsh gjenden nën diktatin rus, pas përqendrimin e forcave të Moskës në këtë aksion dhe pas tërheqjes së tyre nga rrethinat e Kievit dhe zona jugore e sipërme e territorit ukrainas.

Përtej gjithë pretendimeve të dy palëve, disa institute me famë botërore, mes të cilëve edhe Instituti i Studimit të Luftës në SHBA, mendojnë se ka pasur realisht një aksion të Kievit në rajonin lindor dhe se prej aty, shumë trupa ruse janë tërhequr.

Të paktën, flitet për vijën e parë të mbrojtjes në rrethanat ku ndodhet aktualisht situata.

Një pjesë e mirë e territorit ndërkaq gjendet ende pa furnizim me energji elektrike, për shkak të shpërthimit të një centrali të prodhimit termal të energjisë, në Kharkiv.

Nga pretendimet ukrainase, bëhet me dije se janë forcat ruse, ato që e kanë sulmuar centralin. Megjithatë, situata mbetet e paqartë edhe me këtë rast, me Kremlinin që refuzon çdo autorësi.

Teksa, shefi i Komisionit të Sigurisë ruse, Dmitry Medvedev, tha në rrjetin e tij Telegram se nuk ka asnjë tërheqje ruse. Madje, ai nënvizoi edhe një herë faktin se qëllimi i Moskës, është ai i tërheqjes totale të atij që e cilëson si “regjimi i Kievit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore