Kulturë

577 vite nga themeli i bashkimit kombëtar


Besëlidhja e Lezhës, e njohur edhe me emërtimet tjera si “Lidhja Shqiptare e Lezhës”, Kuvendi i Lezhës, Liga e Princave Shqiptarë, është njëra prej datave më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar.

Ajo u mbajt 577 vite më parë, më 2 mars 1444,  në katedralen e Shën Nikollës në qytetin e Lezhës, aty ku sot gjendet memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut.

‘’Skenderbeu e donte me një mënyrë të veçantë Lezhen’’   (M. Barleti ).

Lezha kishte një pozitë gjeografike tepër të favorshme për mbajtjen e kuvendit. Ajo ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të kuvendit, veçanërisht me ato të Dukagjinasve e Kastriotëve.

Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që, më parë, ishin të njohura si toka të perandorisë së Bizantit, si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit.

Ky kuvend mbështetej edhe nga Papa, pasi me këtë do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan.

Princat më të dëgjuar që morën pjesë ishin: Gjergj Arianiti, Andrea Topia (Thopia), Stërnip i Karol Thopisë, princ i krahinës midis Krujës dhe Durrësit, i shoqëruar nga dy djemtë e tij dhe nga i nipi Tanush Topia, Teodor Korona Muzaka, princ i Beratit dhe disa princa të tjerë të Myzeqesë, Gjergj Stres Balsha, princ i krahinës midis Krujës dhe Lezhës, Pal dhe Nikollë Dukagjini, principata e të cilëve zgjatej nga Drini në Kosovë gjer në kufi të Serbisë, Lek Zaharia Altisferi, princ i Danjës; Pjetër Spani, princ i Malësive të Shoshit e të Shalës i shoqëruar nga të katër djemtë e tij; Lek Dushmani, princ i Zadrimës; Stefan Çernoviçi, princ i Malit të Zi.

Veç këtyre u mblodhën në Kuvend edhe përfaqësues të Republikës së Venedikut si vëzhgues.

Krijimi i një Besëlidhjeje mbarëshqiptare ishte bërë mbi principe të gjuhës, dokeve dhe traditave të veçanta, në krye me Skënderbeun. Besëlidhja, formimin e një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si Kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.

Ushtria e Besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe Garda personale e Skënderbeut. Të gjithë princat u zotuan të përkrahnin me ushtarë, ushqime dhe para, me qëllim për t’u mbrojtur kundër Sulltan Muratit të Dytë.

Të ardhurat e ushtrisë së Besëlidhjes, në vit, vinin nga pagesat e princërve të principatave. Lidhja e Lezhës ishte një aleancë politike ushtarake, e cila bazohej te vendimet me shumicë nga kuvendi duke respektuar sundimin e fisnikëve në tokat e tyre.

Sipas marrëveshjes, armiqësitë mbi zotërimin e tokave do të ndaleshin apo do t’i paraqiteshin lidhjes, e cila do t’i zgjidhte me vendime në bazë të shumicës.

Kjo arrihej me lehtësi pasi të gjithë fisnikët pjesëmarrës apo anëtarë të Lidhjes së Lezhës, forcat e tyre ushtarake i kishin vënë nën komandën e Gjergj Kastriotit, i cili sipas marrëveshjes, do t’i  fuste ato në përdorim vetëm kundër ushtrive kërcënuese të anëtarëve të Lidhjes.

Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore