Lajme

569 studentë do të pranohen për studime master në Universitetin e Prishtinës


569 studentë do të pranohen në studimet master në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në afatin e dytë që e ka shpallur ky institucion arsimor.

Vende të lira për studime master ka në 14 njësi akademike kanë thënë nga Universiteti i Prishtinës për Albanian Post.

“Në afatin e II-të të konkursit për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve master, për vitin akademik 2021-22, 569 studentë mund të i bashkohen UP-së, në programet studimore të 14 njësive akademike”, thuhet në përgjigjen nga Universiteti i Prishtinës.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”

“Fakulteti Filozofik, Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, Fakulteti i Filologjisë, Fakulteti i Arteve të Bukura, Fakulteti Juridik, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Ndërtimtarisë, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Fakulteti i Arkitekturës, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Edukimit, dhe Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit”.

Aplikimi ka filluar që nga dita e martë dhe është i hapur deri më 23 tetor në orën 15:30.

Në Fakultetin Filozofik në studimet master gjatë këtij afati akademik do të pranohen 66 studentë të rregullt, sipas të dhënave zyrtare.

Ndërsa më shumë vende të lira ka në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, gjithsejtë 110.

Ndërkaq, në Universitetin Publik të Gjilanit “Kadri Zeka”, gjatë ditës së martë kanë hapur konkursin plotësues për pranimin e studentëve të rinj për studimet post diplomike- master për vitin akademik 2021/2022.

Gjatë këtij afati do të pranohen gjithsejtë 29 studentë të rregullt.

Nga Universiteti “Kadri Zeka”, kanë treguar se në cilat fusha nuk janë plotësuar programet e studimeve.

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan

“Në këtë afat UKZ do të regjistrojë gjithsejtë 29 studentë të rregullt për programin Sistemet e Kontrollit dhe Inteligjenca Artificiale të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, i vetmi program që nuk janë plotësuar kuotat”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Interesimi i madh studentëve për tu bërë pjesë e Universitetit “Kadri Zeka”,  mbetet ende Fakulteti i Edukimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore