Shqipëria

500 mijë vdekje nga Covid-19 në Brazil


Një familje braziliane vajton mbi të afërmin e humbur nga Covid-19

Numri i vdekjeve të lidhura me Covid-19 në Brazil, ka kapur shifrën e mbi 500 mijë të tilla, duke çuar vendin e Amerikës Jugore në një gjendje shqetësuese, në një kohë kur edhe fushata e vaksinimit atje, është e ngadaltë.

Virusi vazhdon përhapjen masive në Brazil. Presidenti i shtetit, Jair Bolsonaro, refuzon nga ana tjetër të ndërmarrë masa si ai i distancimit social.

Vetëm 15% e të rriturve janë të vaksinuar në Brazil dhe sipas institutit shëndetësor “Fiocruz”, situata është kritike.

Kongresi ndërkaq po heton mbi punën e bërë nga qeveria për të frenuar përhapjen e Covid.

Kritikat nuk mungojnë ndaj Bolsonaro-s mbi mënyrën se si e ka menaxhuar pandeminë. Skepticizmi i tij i hershëm ndaj vaksinave, mungesa e karantinimeve apo mos kërkesa e përdorimit të maskave, janë ndër pikat, të cilat mendohet se kanë shkaktuar këtë situatë.

Opozita braziliane i ka akuzat të drejtpërdrejta ndaj vetëm një emri, atij të Bolsonaros. Sipas tyre, ky i fundit ka vonuar blerjen e vaksinave duke rënduar gjendjen.

Mesatarisht në ditë, 70 mijë raste të reja me Covid zbulohen në Brazil. Gjendja në spitale është e ngarkuar. Rreth 80% e shtretërve janë të zënë me pacientë nën kujdes intensiv shëndetësor.

Kështu, Brazili është tashmë vendi i dytë me më shumë vdekje për shkak të Covid-19, sipas raportimeve. Mbi ta, janë vetëm SHBA-të.

Por, ndryshe nga brazilianët, amerikanët kanë vaksinuar një shumicë të madhe të popullsisë. Brazili, do të duhet të përballet ende me ditë të vështira për shkak të Covid.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore