Lajme

50 zyrtarët e rastit “Pika” dyshohet se kanë kryer 6 vepra penale


Zyrtarët Policorë janë sjellë në Gjykatë

Ilir Morina, Prokurori i rastit “Pika” ku një ditë më parë u arrestuan 50 zyrtarë, në mesin e tyre 48 zyrtarë policorë dhe 2 doganierë, kallëzimin penal për të dyshuarit e ka ngritur për gjashtë vepra penale.

50 zyrtarët e arrestuar një ditë më parë në rastin “Pika” dyshohet se kanë kryer disa vepra penale.

Ilir Morina, Prokurori i rastit, në kallëzimin penal, beson se ka prova se 48 zyrtarët policorë dhe dy doganierët kanë kryer gjashtë lloje të veprave penale të dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Morinës, në rastin e koduar me emrin “Pika” të arrestuarit ngarkohen me veprat:

“Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar”.

“Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

“Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Marrja e ryshfetit”.

“Ushtrimi i ndikimit” dhe “Kontrabandimi i mallrave”.

50 zyrtarët e rastit “Pika” dyshohet se kanë kryer 6 vepra penale

48 zyrtarët policorë dhe 2 zyrtarët doganorë të arrestuar një ditë më parë, të martën paradite janë dërguar në gjykatë.

Ata janë paraqitur para dy gjykatësve të procedurës paraprake të Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ndaj të cilëve pritet të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Prokurori i PSRK-së, Ilir Morina, ka deklaruar se është vendim i gjykatës që të ndahet rasti në dy pjesë në këtë fazë të procedurës paraprake.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me urdhër të Prokurorisë Speciale ka realizuar operacionin e koduar me emrin “Pika” që ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit të së hënës në Gjakovë dhe Prizren, i cili ka rezultuar me arrestimin e 50 personave.

Aty thuhej se operacionit i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me disa vepra penale.

Tutje, IPK ka njoftuar se hetuesit e Departamentit të Hetimeve muaj më parë kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative lidhur me dyshimet për përfshirjen në aktivitetet të kundërligjshme të disa zyrtarëve policorë të punësuar në Drejtorinë Rajonale kufitare “Perëndimi” në Gjakovë respektivisht pikë-kalimeve kufitare në Qafë Prushë dhe Qafë Morinë si dhe dy zyrtarëve doganorë.

“Me autorizimin e Prokurorisë Speciale në kuadër të këtij hetimi nga hetuesit e IPK-së janë përshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe masat e nevojshme që të zbulojnë dhe të ruajnë gjurmët dhe provat tjera të veprave penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale”, thuhej tutje në njoftim.

“Bazuar në këto veprime të suksesshme hetimore, IPK në kuadër të operacionit “Pika” ka arrestuar sot 48 zyrtarë policorë (duke përfshirë dy togerë policorë – komandantë të pikë kalimeve kufitare në Qafë Prush dhe Qafë Morinë dhe pesë rreshterë) si dhe dy zyrtarë doganorë, që të gjithë të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “marrje e ryshfetit”, ka njoftuar IPK një ditë më parë.

Aty bëhej e ditur se nga realizimi i veprimeve hetimore nga hetuesit e IPK-së, ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit në këtë rast janë të involvuar mbi 400 herë në veprimtari kriminale të veprës penale të “marrjes së ryshfetit” dhe “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

“Të arrestuarve me aktvendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe ndaj të njëjtëve nga IPK është dhënë edhe rekomandimi për suspendim nga detyrat e punës si pjesë e procedurave administrative”, thuhej në komunikatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore