Lajme

50 viktima pas përplasjes së trenit në Taivan


Ka shkuar në 50 numri i pasagjerëve të vdekur nga përplasja e një treni në Taivan. Thuajse 500 njerëz ishin në bord dhe autoritetet ende po përpiqen të nxjerrin personat e bllokuar në një tunel.

Të paktën 146 njerëz janë plagosur, në atë që u quajt tragjedia më e madhe hekurudhore e ishullit aziatik në shtatë dekada.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë vagonët e ndarë në mes për shkak të përplasjes. Të tjerë janë shkërmoqur tërësisht. Numri i të vdekurve pritet të rritet pasi ende nuk janë inspektuar disa vagonë.

Shoferi i trenit gjithashtu ka mbetur i vrarë. Dyshohet se një kamion i parkuar gabim ka qenë shkaku i aksidentit.

Kamioni ka rrëshqitur drejt trenit, i cili po lëvizte me shpejtësi të madhe. Për shkak të përplasjes, treni ka dalë nga binarët. Disa prej vagonëve janë përhapur në fushën aty pranë. Të tjerë ndërkohë, janë përplasur brenda tunelit.

Pikërisht pasagjerët e atyre vagonëve kanë qenë më të dëmtuarit, pasi impakti me muret e tunelit ka qenë shumë i fuqishëm.

Në tren ka pasur familje të tëra të cila janë shuar. Pasagjerët përfshinin si turistë, ashtu edhe udhëtarë lokalë.

Një bilanc më i plotë pritet pas përfundimit të punës nga forcat zjarrfikëse.

Tragjedi të tilla në Taivan ndodhin shumë rrallë, për shkak të cilësisë së lartë hekurudhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore