5 vite SPAK, mes rezultateve dhe sfidave të së ardhmes

Brixhilda Xhuraj
19.12.2024 10:10
Loading Icons...

19 dhjetor 2019: 8 prokurorë, pa staf administrativ, pa godinë dhe pa asnjë mjet për t’u përdorur për hetime.

Kështu u krijua Prokuroria e Posaçme (SPAK), si një nga kolonat më të rëndësishme të arkitekturës së Reformës në Drejtësi.

Sot bëhen 5 vite, për të cilat kreu i SPAK, Altin Dumani, shprehet se mund të duken shumë, por që janë tepër pak që një institucion të marrë formën që duhet.

“Ishin vite që kushtëzoheshin nga situata në të cilën punonim. SPAK është si fëmijët që ngrihet në këmbë dhe më pas vijon të ecë. Tre vitet e para kanë qenë fazat e krijimit dhe funksionimit të SPAK-ut. Tani kemi një SPAK funksional”, pranoi Dumani së fundi.

Ky fëmijë shpejt u kthye në të preferuarin e të gjithëve: diplomacitë ndërkombëtare e vendosën integritetin e tij në qendër të ecurisë së Shqipërisë; politikanët shqiptarë e akuzuan kur shtrinte tentakulat në kampin e tyre, e përgëzuan kur arrestimet ishin në kampin tjetër; u kthye në burim lajmesh për gazetarët të cilët prisnin “të ftuarin” e radhës në derën e të gjithëve.

Fillimisht në dyert e SPAK u paraqitën një mori kallëzimesh penale për shpërdorime detyre dhe abuzime me fondet publike.

Duke lënë të nënkuptuar se fokus parësor do të ishte hetimi i korrupsionit në nivelet e larta të qeverisjes.

Kështu, kur dikush përmend SPAK, mendja shkon te politikanët e korruptuar, te dosjet si ajo e Gërdecit, ÇEZ- DIA, inceneratorëve apo e sterilizimit.

Por, SPAK në trupin e tij ka si detyrë edhe hetimin e krimit të organizuar në Shqipëri.

Të ngulitura në një peshore – sërish – është tepër e lartë mundësia që në hetimet e prokurorëve të vendosen njerëz të konsideruar të pakapshëm, qoftë në botën politike apo edhe në botën kriminale.

Gjatë pesë viteve të tij, SPAK ka regjistruar procedime penale për disa afera madhore korrupsioni, ku të akuzuar ishin ish-presidentë, ish-kryeministra, ish-zëvendëskryeministra, ish-ministra, ministra, deputetë dhe kryebashkiakë.

Ndjekja penale për rastet e korrupsionit është rritur vazhdimisht, duke mbërritur në 447 raste të dyshuara për korrupsion në 2023-shin.

Megjithatë vitin e fundit u regjistrua një shkallë e ulët e ndjekjes penale për korrupsionin.

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) në raportin e saj krahasues 2020 – 23 vëren se vetëm 38 raste ose 8.5 % e çështjeve të korrupsionit u dërguan për gjykim, krahasuar me 43 raste ose 10.2 % në 2022 dhe 33 raste ose 21 % në 2020.

Por nga ana tjetër të pandehurit për korrupsion, që përfundojnë me dënim janë rritur ndjeshëm.

Krimi i organizuar nuk ka mbetur pas, ndjekja penale e tij ka shënuar rritje të vazhdueshme rastesh, po ashtu edhe numrat e të pandehurve për këto krime.

Me rezultat e tij, SPAK duket se ka arritur nivelin maksimal të besimit mes qytetarëve shqiptarë që nga themelimi i strukturës speciale të drejtësisë.

Ai renditet si institucioni i dytë në vendin tonë me besueshmërinë më të lartë, menjëherë pas ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në renditjen e 15 institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare – zbuluar nga anketimi i fundit i Barometrit të Euronews Albania.

36 për qind e të anketuarve kanë besim te institucioni i drejtësisë dhe krahasuar me përqindjet e besueshmërisë në institucione të tjera, SPAK renditet në krye të kësaj liste së bashku me Ambasadën Amerikane në Shqipëri.

Rritja e besimit është skalitur gjatë dy viteve të fundit, kohë kur në krye të tij vendoset një figurë si ajo e Altin Dumanit.

Ai këtë vit ishte mes 10 kampionëve të anti-korrupsionit nga e gjithë bota që u nderua nga Shtetet e Bashkuara.

“Kryeprokurori i Posaçëm i Shqipërisë, Altin Dumani, drejton një agjenci të re kombëtare – e ngritur në bazë të reformave kushtetuese të vitit 2016 – që ndjek penalisht zyrtarë të lartë dhe drejtues të krimit të organizuar. Sot është institucioni publik më i besuar në Shqipëri”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken gjatë ceremonisë që u mbajt në Departamentin e Shtetit.

Në dy vitet në krye të detyrës që mori, ku pasoi Arben Krajën në pozitë, Dumani e ka ngritur lart stekën e goditjes së politikanëve në vend, kryesisht për akuza korrupsioni, por edhe lidhur me çështje të krimit të organizuar.

Ndër më të njohurat, dosja për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, sa i takon çështjes së privatizimit të ish-klubit Partizani.

Ajo e lidhur me ish-Presidentin e Republikës, Ilir Meta, i akuzuar për korrupsion dhe fshehje pasurie.

Apo edhe arrestime në dhjetëra të ish-funksionarëve të lartë shtetërorë, sa i takon çështjes së Inceneratorëve, ku të dënuar tashmë janë edhe ish-ministra, ish-zyrtarë të lartë, apo edhe ish-kryetarë bashkish.

Por me apo pa Dumanin – që lë mandatin në dhjetor 2025 – SPAK ka sfidat e tij, të cilat i ardhmja do t’i shpalosë.

Sfida e parë është ruajta e pavarësisë institucionale të SPAK. Kjo pavarësi institucionale është një ndër shkaqet që pse Prokuroria e Posaçme ka filluar që të jetë e suksesshme ndaj ndjekjes së veprave penale.

Një sfidë tjetër është mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorit të SPAK, pas përfundimit të mandatit.  Pas 9 vitesh kthehen në vendin ku kanë qenë më parë.

Prokurorët kanë propozuar ndryshimet e nevojshme, me qëllim që të rishikohet dhënia e mundësisë që të rikandidojnë e të vazhdojnë të jenë pjesë e SPAK.

Ama më e rëndësishmja, SPAK ka nevojë për bashkëpunimin e institucioneve të tjera përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dhe jo më pak e rëndësishme, SPAK ka nevojë për shoqërinë civile, si një partner besnik përballë presioneve nga pushtetet e tjera.

Të fundit

Aktuale