Lajme

5 të arrestuar në Azerbajxhan, spiunazh për Iranin


Azerbajxhani ka arrestuar pesë shtetas, të cilët akuzohen për spiunazh për Iranin.

Njoftimi i arrestimeve erdhi të hënën e 14 nëntorit pasi Baku dhe Teherani akuzuan njëra-tjetrën javën e kaluar për retorikë armiqësore.

Shërbimet e sigurisë së Azerbajxhanit thanë se arrestimet u kryen si pjesë e “masave që synojnë të kundërshtojnë aktivitetet përçarëse të inteligjencës të kryera nga shërbimet sekrete iraniane kundër Azerbajxhanit”.

Sipas tyre, pesë personat kishin mbledhur informacione rreth ushtrisë, duke përfshirë prokurimin e dronëve izraelitë dhe turq dhe infrastrukturën energjetike të vendit.

Në fillim të këtij muaji, autoritetet e Bakut arrestuan 17 burra që ata thanë se i përkisnin një “grupi të armatosur ilegal të krijuar nga Irani në territorin e Azerbajxhanit”.

“Retorikë kërcënuese”

Të premten, Azerbajxhani thirri ambasadorin iranian për t’u ankuar për “retorikën kërcënuese” që vinte nga Teherani.

Një ditë më parë, ministria e Jashtme iraniane i kishte dorëzuar të dërguarit të Azerbajxhanit një notë proteste për komentet “anti-Iran” nga zyrtarët në Baku.

Irani, shtëpia e miliona azerbajxhanasve etnikë, ka akuzuar prej kohësh fqinjin e tij më të vogël verior për nxitjen e ndjenjave separatiste në territorin e tij.

Azerbajxhani është “zemëruar” gjithashtu nga ambiciet për të krijuar një lidhje transporti përgjatë kufirit armeno-iranian, që do të lidhte Azerbajxhanin kontinental me enklavën e tij të Nakhiçevanit dhe Turqisë.

Baku dëshiron të kufizojë juridiksionin armen mbi të ashtuquajturin korridor tokësor Zangezur, një projekt që do t’i jepte fund varësisë së tij nga Irani për qasje në enklavën e Nakhiçevanit.

Çështja është shfaqur si pika kryesore e përplasjes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, të cilët luftuan dy luftëra – në vitet 1990 dhe në 2020 – mbi rajonin e kontestuar Nagorno-Karabakh në lindje të Zangezur-it.

Marrëdhëniet midis Baku-t dhe Teheranit kanë qenë tradicionalisht të acaruara, pasi Azerbajxhani turqishtfolës është një aleat i ngushtë i rivalit të Iranit, Turqisë.

Irani është gjithashtu dyshues për bashkëpunimin ushtarak të Azerbajxhanit me Izraelin – një furnizues i rëndësishëm armësh për Baku-n – duke thënë se Tel-Avivi mund të përdorë territorin e Azerbajxhanit si një urë lidhëse kundër Iranit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore