Libra

46 vite nga vdekja e Koliqit


Ernest Koliqi, ishte poet, shkrimtar, dramaturg, dijetar dhe përkthyes i njohur shqiptar. I lindur në Shkodër më 20 maj 1903, ku gjithashtu aty mori edhe mësimet e para, ai u transferua në Itali për të studiuar në Brescia dhe më pas në Universitetin e Padovës. Ai u nda nga jeta 46 vite më parë, më 15 janar 1975, në Romë. Ka shkruar veprat “Tregtar flamujsh”, “Hija e maleve”, “Pasqyrat e Narcizit”, studime letrare dhe shume perkthime, kryesisht nga letersia italiane

Ai filloi të shkruante nën pseudonime, si Hilushi, Hilush Vilza dhe Borizani.

Në vitet 1920 dhe 1930 Koliqi ishte themeluesi i revistave kryesore në Shqipëri, si revista “Illyria”, “Ora e Maleve”, “Shkëndija” dhe revista të tjera si “Shejzat” në Itali. Ai gjithashtu ishte Ministër i Arsimit në kohën e Mbretërisë së Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur kontriboi në krijimin e bibliotekave publike në Shqipëri.

Koliqi u përpoq të shkruante një histori të letërsisë shqiptare, pa ndonjë ndikim prej ideologjive politike apo faktorëve të tjerë.

Si shkrimtar shumë nga veprat e tij letrare u ndaluan gjatë kohës së komunizimit për shkak të pikëpamjeve të tij politike liberale. Ai u bë krijues në prozë, dhe së bashku me Mitrush Kutelin konsiderohen themeluesit e prozës moderne shqiptare.

Ai përktheu në shqip veprat e shkrimtarëve të mëdhenj italianë, si Dante Alighieri, Petrarca, Ludovico Ariosto, Torquato Tasso, Giuseppe Parini, Vincenzo Monti, Ugo Foscolo dhe Alessandro Manzoni. Ai u spikat në përkthimin e një antologjie të poezisë italiane në vitin 1963.

Në librat e tij si Hija e Maleve (1929), Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (Pasqyrat e Narcis) (1936), Koliqi sjell një spiritualitet unik shqiptar në letërsi. Koliqi vdiq në Itali në vitin 1975.

Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në vendin tonë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërinë famëkeqe Jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga vitit 1913 e deri në vitin 1941 nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe, por as edhe një libër në gjuhën shqipe.

Ata shqiptarë që mësonin ilegalisht gjuhën e tyre ndiqeshin e dënoheshin nga regjimi deri më 20 vjet burg.

Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore