Lajme

45.56% rritje e vdekshmërisë së tepërt në Kosovë në vitin 2020


Zyra për Statistika Kombëtare të Evropës Juglindore së bashku me Zyrën Evropiane për Statistika, “Eurostat”, kanë dalur me një raport të ri për rritjen e vdekshmërisë së tepërt në krahasim prej viteve 2016-2019 me vitin 2020, në rajonin e Ballkanit.

Kosova kryeson me 45.56% ngritje të vdekshmërisë së tepërt në vitin 2020 krahasuar me mesataren e nxjerrur nga vitet 2016-2019.

Vdekshmëria e tepërt është një rritje e pazakontë e vdekshmërisë gjatë një periudhe specifike, në një popullatë të caktuar. Treguesi i tepërt i vdekshmërisë së “Eurostat” shprehet si përqindje e vdekjeve shtesë në një muaj krahasuar me një periudhë fillestare.

Në vitin 2020, fillimi jepet nga vdekjet mesatare mujore në periudhën 2016-2019. Sa më e lartë të jetë vlera, aq më shumë vdekje shtesë kanë ndodhur krahasuar me vijën fillestare. Një vlerë negative do të thotë që më pak vdekje kanë ndodhur në një muaj të caktuar krahasuar me periudhën fillestare.

Miodrag Pantoviç në një cicërimë në Twitter, ka shpërndarë raportin, megjithëse jo të finalizuar, për statistikat e rritjes së vdekshmërisë së tepërt për raportin në fjalë.

“Zyrat Statistikore Kombëtare rregulloi të dhënat e vdekshmërisë për vitin 2020 në Evropën Juglindore. Përveç shifrave të Kosovës dhe Greqisë, të tjerat janë gati se përfundimtare”, ka shkruar Pantoviç.

Kosova ka ngritjen më të lartë në raport me tre-vjeçarin 2016-19, me 45.56% të rritjes së vdekshmërisë, Maçedonia e Veriut me 27% ngritje, dhe Shqipëria me 26,40%.

E fundit në listë qëndron Greqia me vetëm 5.14% ngritje të vdekshmërisë së tepërt.

Arsyet për vdekshmërinë të tepërt ndryshojnë në varësi të fenomeneve të ndryshme, 2020 kryesisht lidhet me pandeminë COVID-19.

Vdekshmëria e tepërt është edhe një masë më gjithëpërfshirëse e ndikimit total të pandemisë në vdekje sesa vetëm numri i konfirmuar i vdekjeve COVID-19.

Përveç vdekjeve të konfirmuara, raporti i vdekshmërisë së tepërt kap edhe vdekjet nga COVID-19 që nuk ishin diagnostikuar dhe raportuar si duhet, si dhe vdekje nga shkaqe të tjera që mund t’i atribuohen gjendjes së përgjithshme të krizës së pandemisë.

Ky raport edhe këto statistika gjithashtu llogarisin mungesën e pjesshme të vdekjeve nga shkaqe të tjera si aksidentet që nuk kanë mundur të ndodhin për shkaqe si p.sh., të kufizimeve në udhëtim gjatë periudhës së izolimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore