Lajme

440 trupa gjenden në një varr masiv në Iziumin e sapo çliruar


Lajmi i mirë ishte ai se një pjesë e mirë e zonave të pushtuara në rajonin e Kharkivit po çlirohen nga uzurpatori rus.

Lajmi i keq, ai se varre të tjera masive, të ngjashme me ato në Bucha, po gjenden tashmë edhe në qytetet lindore.

Një hetim i thelluar ka nisur tashmë, pasi 440 trupa u gjendën në një varr masiv në Izium, qytetin e sapo çliruar ukrainas.

Ishte Serhyi Bolvinov, shefi i Policisë Hetimore në Kharkiv, ai i cili tha për median Sky News se një pjesë e njerëzve, dukej qartë se ishin vrarë për shkak të bombardimeve ruse.

Nga ana tjetër, presidenti Volodymyr Zelensky, e ritheksoi faktin dhe qëndrimin e tij, se kudo që rusët po shkojnë, po sjellin veç vdekje e shkatërrim.

Mbi rastin konkret, u bë me dije se procedurat hetimore kanë filluar tashmë dhe në 24 orët e ardhshme, duhet të vijë edhe përgjigja konkrete mbi faktin se me çfarë kemi të bëjmë në këtë rast.

Në masakrën e Bucha-s, një rrethinë e Kievit, ishte konkret qëllimi i rusëve dhe dukej qartë se situata lidhej me krime kundër njerëzimit.

Të rritur e fëmijë ishin vrarë e masakruar që prej fillimit të luftës aty dhe më pas ishin groposur në disa zona, ku varri më i madh masiv i zbuluar ishte me rreth 300 persona.

Edhe në Bucha, mbi 400 persona u gjetën të vrarë, siç pretendohet nga Ukraina, prej trupave ruse. Megjithatë, ende nuk ka një qëndrim ndërkombëtar të pavarur mbi çështjen, për ta dënuar Moskën mbi këto akte.

Do të jetë Iziumi i njëjti rast me Bucha-n? Kjo mbetet për t’u parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore