Kosova

40-vjetori i vrasjes së vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës – politikanët kosovarë i kujtojnë ata


Me rastin e 40-vjetorit të ekzekutimit të vëllezërve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla si dhe veprimtarit, Kadri Zeka – politikanët e Kosovës, i kanë kujtuar ata përmes postimeve në mediat sociale.

Vjosa Osmani – Presidente e Republikës së Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar një thënie të Kadri Zekës kushtuar rrugës së nderit, të cilën i ndjeri e ka quajtur si “rrugën më të vështirë”.

Imazh i publikuar nga Vjosa Osmani në Facebook.

“Në kujtim të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës”, ka shkruar Osmani, karshi fotografisë me thënien e Zekës, ku thuhet se  – “Rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja, rrugë e vërtetë për njerin. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka me gjete”.

Pos, Osmanit, heronjtë i ka kujtuar edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i cili përmes një postimi në Facebook, ka shpalosur edhe historinë e vrasjes së treshes, vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka.

Memli Krasniqi – Kryetar i PDK-së.

“Sot bëhen 40 vjet, nga 17 janari i vitit 1982, prej që në Untergrupenbach të Gjermanisë shërbimi sekret jugosllav ekzekutoi tre heronjtë e Kosovës, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe veprimtarin Kadri Zeka”, ka shkruar Krasniqi.

“’Ka qenë UDB-ja’ – u kishte thënë policisë gjermane Jusufi, para së të mbyllte sytë përgjithmonë. Një dëshmi e fundit për të vërtetën, për vrasësit, për pushtuesin dhe, mbi të gjitha, një thirrje për mobilizim gjithë-shqiptarë”, ka shtuar kreu i PDK-së.

Krasniqi ka thënë se sakrificat e patriotëve nëpër dekada kanë qenë frymëzim për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa ka shprehur lavdinë për të gjithë ata që punuan fort për çlirimin e këtij vendi.

“Shpirti çlirimtar shqiptar, që deri në atë kohë funksiononte në mënyrë të shpërndarë e në organizata të shumta ilegale, në dekadën pasuese u bashkua si asnjëherë më parë rreth një qëllimi– për Kosovën e Lirë”, ka shkruar ai.

“Ai shpirt më vonë themeloi UÇK-në, e cila u dha kuptim e rezultat sakrificave e angazhimeve të qindra e mijëra patriotëve që punuan për çlirimin e Kosovës nëpër dekada. Sot, të lirë dhe të ndërgjegjshëm për historinë, kujtojmë ata që dhanë gjithçka që kishin, përfshirë edhe jetën e tyre”, ka shtuar Krasniqi.

Ndërkaq, në mediat sociale ka bërë bujë edhe një video e publikuar nga ceremonia e dasmës së Kadri Zekës, e realizuar më 2 janar të vitit 1982 – vetëm dy javë para vrasjes vetë Zekës dhe vëllezërve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla.

Në video shihet Zeka bashkë me të pranishmit të cilët, të gjithë një zëri e këndojnë këngën me motive nacionaliste – “Oj Kosovë, oj nana jonë”.

17 janari i vitit 1982, është dita kur u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kishte ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë, teksa nga autoritet shtetërore gjermane ishte lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre.

Konkretisht, atentati kishte ndodhur, përderisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit. Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura ka ndaluar pasi që nga një vend ndërtim në anë të djathtë, një person nga një distancë prej tre metrave ka shtënë.

Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe ju ka afruar asaj për të vërtetuar se ia kanë arritur qëllimit.

Fqinjët, të frikësuar nga krismat, i kishin parë dy persona të gjinisë mashkullore duke ikur, ndërsa vetura kishte mbetur e ndezur, pasi që Bardhoshit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit.

Si pasojë e kësaj, vetura ka vazhduar më tutje të ecën derisa përplaset me një garazhe. Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori.

Në vendin e ngjarjes policia kishte gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën të vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë me dy goditje me plumba.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore