Shqipëria

4 vjet për t’i nxjerrë “Shpirtin” korrupsionit


Ilustrim

Mëngjesin e ditës së premte më 2 korrik, u finalizua me sukses operacioni ndërkombëtar i koduar “Shpirti”.

Ky operacion u arrit falë bashkëpunimit të Prokurorisë së Posaçme së Shqipërisë (SPAK) dhe Antimafias italiane.

Në vijim u bë e mundur kapja e 28 personave mes tyre dhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar. Më herët janë arrestuar 10 persona të tjerë. Në total ishin 38-urdhra arresti.

Gjatë një takimi online mes kreut të SPAK, Arben Kraja dhe kreut të Prokurorisë Kombëtarë të AntiMafias dhe AntiTerrorizmit në Itali, Federico Cafiero De Raho, bënë me dije se janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe paluajshtme.

Si dhe aktivitete tregtare me vlerë miliona euro.

Si nisi ky operacion?

Faktet e diskutuara në hetimin e titulluar “Kulmi” nga DIA Italiane dhe policia shqiptare, datojnë në vitet 2017-2018.

Hetuesit dokumentuan se Pulia ishte baza kryesore logjistike e organizatave kriminale shqiptare për shitjen e drogës në të gjithë territorin italian.

Gjatë dy viteve të hetimeve, më shumë se tre tonë e gjysmë drogë me vlerë mbi 40 milionë euro u sekuestruan për një total prej rreth 7 milionë dozash.

Nga 16 të dënuarit, 4 janë autorë italianë. 12 janë trafikantë shqiptarë, për të cilët gjykatësi ka urdhëruar dëbimin e tyre.

Hetimi i një viti më parë çoi në 37 arrestime të kryera midis të dy vendeve dhe sekuestrime të pasurive me vlerë 4 milionë euro, përfshirë një fabrikë kafeje në Vlorë.

Hetimi gjithashtu kishte konstatuar bashkëpunimin e një karabinieri, Giuliano Pasquale, tashmë i dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg.

Akuzat që rëndojnë mbi të janë ndihma e trafikantëve të drogës për të prodhuar dokumente të rreme, duke i informuar gjithashtu për hetimet e vazhdueshme kundër tyre.

Nga proceset gjyqësore presin ende verdiktin e tyre 21 të pandehur të tjerë.

Kush janë të arrestuarit?

Operacioni i bashkërenduar ndërkombëtar është kurorëzuar me arrestimin e prokurorit të Vlorës, Maksim Sota.

Në vijim të arrestimeve është bërë ndalimi i Ilirjan Ballës, shefi i sektorit kundër trafiqeve. Këto dy zyrtarë gjenden aktualisht në ‘arrest shtëpie’.

Gjithashtu është arrestuar Saimir Kurti, drejtor i zyrës së punës në Kavajës, si dhe Festim Lelaj, ish-oficer policie.

Mes tyre gjenden edhe dy ish-shoqëruesit e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Këta të fundit në vitin 2016, sipas SPAK, kanë garantuar nga Shqipëria, jo vetëm nga ana tokësore, por dhe detare, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë.

Çfarë vendosi GJKKO?

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 24 të akuzuarit.

Ndërsa për prokurorin Maksim Sota dhe tre të tjerë, arrest shtëpie.

Në dosjen e publikuar nga SPAK, shkruhet se dëshmitarë të ndryshëm kanë ndihmuar në zbulimin e këtij grupi kriminal.

Në dosje përfshihen përgjimet e grupeve kriminale dhe dëshmitë e të penduarve.

Një nga këto të fundit, Donjol Drolli, ka dëshmuar se prokurori, Maksim Sota, kishte dijeni që Ilirjan Ducellari ishte i përfshirë në trafik droge dhe pavarësisht kësaj ai ka qëndruar në banesën e siguruar nga ai.

Kundër prokurorit Sota, ka folur edhe një tjetër i penduar i drejtësisë, Mariglen Shusha.

Hetimet janë zhvilluar nga muaji maj i vitit 2019 deri në janar të vitit 2021.

Cilat ishin reagimet?

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka përshëndetur finalizimin e këtij operacioni.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave janë përparësitë kryesore të Bashkimit Evropian dhe të Shqipërisë në rrugën e saj të hyrjes në BE”.

Po ashtu dhe ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, ka paralajmëruar se pas operacionit të së premtes, do të ketë dhe goditje të tjera.

Kim më tej ka theksuar faktin se, “reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por po ecën përpara dhe po jep rezultate”.

Sipas saj, “edhe pse disa pretendojnë që reforma në drejtësi nuk ka prodhuar “asgjë”, operacioni i madh i sotëm ka treguar të kundërtën.

Gjithashtu ajo shprehet se aksioni i sotëm është “goditja më e fundit kundër zyrtarëve të korruptuar dhe krimit të organizuar”, duke lënë të kuptohet se veprimet të tjera do të ketë në të ardhmen.

Kim nënvizon se SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin SPAK-un dhe strukturat ligjzbatuese në hetimin dhe ndjekjen penale të “atyre që abuzojnë me detyrën e tyre ose pasurohen në mënyrë të paligjshme – ndërsa varfërojnë Shqipërinë përmes veprimtarisë kriminale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore