Lajme

4-vjeçari merr makinën e nënës për një… shëtitje


Një 4-vjeçar u ribashkua me prindërit e tij shëndoshë e mirë, pasi rrëmbeu çelësat e nënës së tij dhe mori makinën e saj për një xhiro herët në mëngjes.

Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në rrugët e Utrechtit në Holandë, ka raportuar policia, përcjell Albanian Post.

Djali, këmbëzbathur dhe me pizhame, u pa teksa endej në një rrugë në lagjen e qytetit në orët e para të mëngjesit të së shtunës nga kalimtarët, të cilët thirrën shërbimet e urgjencës, ka bërë të ditur forca e policisë së Utrechtit të Veriut në llogarinë zyrtare në Instagram.

Pas kontrolleve mjekësore nga ekipi i ndihmës së shpejtë, të cilët i dhuruan dhe një arush, fëmija u dërgua në stacionin më të afërt të policisë, ku i ofruan një filxhan me çokollatë të nxehtë, thuhet në postim.

Menjëherë pas kësaj, një patrullë policie raportoi për një makinë të braktisur në të njëjtën lagje, se u përplas me dy automjete të parkuara. Një telefonatë, drejtuar pronarit të regjistruar të makinës, zbuloi se ishte nëna e djalit.

“Ajo shpjegoi se djali i saj ishte ‘shumë sipërmarrës’. Ajo foli me fëmijën në telefon dhe ne e pamë atë të imitonte një përplasje dhe të bënte një lëvizje drejtuese me duart e tij. Kjo na bëri të dyshojmë se ai mund të ketë qenë duke vozitur”, vazhdoi postimi në Instagram.

Oficerët shoqëruan nënën dhe djalin e saj në makinën e braktisur, ku iu bashkua edhe babai i djalit.

“Në makinë, ne e pyetëm fëmijën nëse mund të na tregonte se si funksiononte”, ka thënë Policia e Utrecht.

“Ai hapi makinën dhe vendosi çelësin në ndezës. Ai ndezi makinën, lëvizi këmbën e tij të majtë dhe goditi gazin”.

Ata arritën në përfundimin se ai ishte “zgjuar herët kur babai i tij u largua për të shkuar në punë dhe vendosi të shkonte për një xhiro me makinë”.

Në postimin e policisë të titulluar “Zbulohet Max Verstappen i ri në Overvecht” – ata i referohen kampionit botëror belgo-holandez të Formula 1 të vitit 2021 – bënë të ditur se “aventura e këtij mini-djaloshi-vrapues përfundoi me një zhurmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore