Lajme

4 ton kokainë kapen në Trieste, vlera në 240 milionë euro


Një megaoperacion, i cili ka parë bashkëpunimin e Guardia di Finanza-s dhe DIA-s amerikane, ka çuar në kapjen e mbi 4 tonësh kokainë, me një vlerë prej rreth 240 milionë eurosh.

Më saktësisht, janë 4 mijë e 300 kilogramë drogë e llojit kokainë, të kapura brenda mjeteve të transporteve si kamionë apo SUV.

Në terma të gjerë, me këtë goditje të trafikut të drogës, bëhet fjalë për një ndër kapjet më të mëdha të ndodhura ndonjëherë në Evropë.

Të arrestuar kanë qenë 38 persona, me prejardhje nga Italia, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Holanda dhe Kolumbia. Të gjithë akuzohen për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Mes fajtorëve, nuk bënin pjesë vetëm trafikantët direktë, por edhe ndërmjetës të ujdive mes bandave.

Të ambalazhuara, së bashku me drogën, kanë qenë edhe 2 milionë euro në para të thata, apo vetura të grupit kriminal, të cilat përdoreshin në transportimin e mëtejshëm të mallit.

Hetimi pati filluar më shumë se një vit më parë me bashkëpunimin e drejtësisë italiane, policisë kolumbiane, së bashku me agjencinë amerikane të Hetimeve të Sigurisë Kombëtare.

Detaje të mëtejshme priten ndërkaq rreth mesditës, kur edhe autoritetet do të bëjnë një përmbledhje të gjithë ndodhisë dhe të shifrave të sakta operacionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore