Shqipëria

4 të arrestuar në spitalin “Shefqet Ndroqi”


Pas arrestimit të sanitares Tire Alladervishi, të hënën e 8 shkurtit janë vënë në pranga tre infermiere dhe një sanitare tjetër nga i njëjti spital “Shefqet Ndroqi”. Arrestimet lidhen me skandalin korruptiv të sanitares të sipërpërmendur. Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Pas hetimeve, Prokuroria ka zbuluar se kemi të bëjmë me një skemë kriminale, me qëllim përfitimin në kurriz të pacientëve të sëmurë me Covid-19.

Bëhet e ditur se prokuroria ka lëshuar katër urdhër-arreste për infermieret dhe sanitaren e këtij spitali.

Ato akuzohen për shpërdorim detyre dhe mashtrim. Ende mbetet e paqartë nëse ata kanë pasur të bëjnë me rastin për të cilën u arrestua Tire Alldervishi, apo nëse janë përfshira në skema mashtrimi për të tjerë pacientë, duke marrë shuma parash.

Infermieret e arrestuara janë: M.B, S.Ç, dhe Sh.K. Ndërsa sanitarja e arrestuar është shtetësja me inicialet R.H.

Arrestimi i sanitares

Rikujtojmë se shtetasja Eltjana Sinanaj, ishte ajo që bëri kallëzimin penal ndaj shtetases Tire Alldervishi, sanitare në spitalin “Shefqet Ndroqi”, Tiranë.

Kjo e fundit i ka marrë disa shuma të konsiderueshme parash për t’i shërbyer mamasë së saj, e cila ishte e shtruar në spital me Covid-19.

Mamaja e kallëzueses është shtruar në 28 nëntor 2020 pasi rezultoi pozitive me Covid-19. Ajo ndërroi jetë po në këtë spital me datë 25 dhjetor 2020. Tirja është prezantuar si inferimiere ndërkohë që ishte sanitare e spitalit.

Pamjet për ngjarjen e ndodhur janë transmetuar në emisionin “Stop” të datës 12 janar 2021. Shuma e marrë në total nga sanitarja është rreth 8 milionë lekë të vjetra.

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për sanitaren për veprën penale “Mashtrim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore