Shqipëria

39 miliardë lekë më shumë në buxhetin e shtetit


Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), Anila Denaj, ka publikuar përmbledhjen e performancës paraprake 6-mujore të të Ardhurave dhe Shpenzimeve, në bazë të të cilit janë 39 miliardë lekë më shumë në buxhetin e shtetit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar.

Dokumenti reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve gjatë gjysmës së parë të vitit 2021.

Të ardhurat totale, për 6-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 234 miliardë lekë ose 104 % të planit të 6-mujorit. Krahasuar me një vit më parë, të adhuruat kanë rritje prej 39 miliardë lekësh.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për 6-mujorin e parë të 2021 kanë shënuar realizimin më të lartë nga viti 2013. Të ardhurat doganore u realizuan në vlerën 84.7 miliardë lekë, 16.5 miliardë lekë ose 24.3% më shumë se 6-mujori i vitit të kaluar 2020, si dhe 4.5 miliardë lekë ose 5.6% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 6-mujorin e vitit 2021.

Respektivisht, të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 6-mujorin 2021 u realizuan në masën 118.2 miliardë lekë, 15.6 miliardë lekë më shumë se 6-mujori i vitit të kaluar, si dhe 1.3 miliardë lekë, ose 1.1% më shumë se plani i 6-mujorit 2021.

Për sa u përket shpenzimeve të përgjithshme publike, për muajin e gjashtë të vitit 2021, arritën në rreth vlerën 263.1 miliardë lekë me një realizim në masën 95.8% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar rreth 29.4 miliardë lekë më shumë.

Niveli i deficitit për periudhën 6-mujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 29.1 miliardë lekë, ose rreth 9.6 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën 6-mujore, niveli i deficitit rezulton 58.4% e planit të periudhës prej rreth 49.8 miliardë lekë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore