Libra

“366 rrëfenja për të ndjellur gjumin” e Besnik Mustafajt


Besnik Mustafaj

Besnik Mustafaj është romancier i njohur shqiptar. Librat e tij janë të përkthyer në disa gjuhë dhe vlerësuar me disa çmime kombëtare e ndërkombëtare.

Javën e kaluar, me rastin e 30-vjetorit të Shtëpisë Botuese “Buzuku” në Prishtinë, Mustafaj është shpërblyer me çmimin e parë për romanin “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin”. Më herët, në Panairin e Ulqinit, fitoi çmimin e parë për romanin “Historia e një Mushke”.

Në një intervistë me Albanian Post, pas çmimit që mori në Prishtinë, Mustafaj tha se “çmimet shërbejnë posaçërisht për të tërhequr vëmendjen e lexuesit mbi veprën në fjalë. Dhe kjo është në mënyrë të veçantë e rëndësishme në rrethanat e botës kulturore shqiptare, ku mungon një kritikë letrare e vëmendshme, e ndershme dhe cilësore për ta ndarë grurin nga egjra, duke orientuar lexuesin drejt vlerave”.

Ai tha se “në Kosovë ndjehem i vlerësuar”.

“Dikur, para Luftës, librat e mi janë botuar nga ‘Dukagjini’ dhe ‘Zëri’. Më pas nga ‘Koha’ dhe tani nga ‘Buzuku’. Për ta janë shkruar me dhjetëra e dhjetëra artikuj. Para pak vjetësh jam nderuar me çmimin e librit më të mirë të vitit me romanin ‘Ëndrra e doktorit’, botuar në Tiranë te Shtëpia Botuese ‘Toena’”.

Romancieri i njohur shqiptar shprehet modest, ndërsa thotë për Albanian Post se, “nuk e di sa i lexuar jam. Por gjithsesi do të kisha dashur të lexohem më shumë. Edhe këtë intervistë merreni, ju lutem, si një ftesë për t’i lexuar librat e mi!”.

Për rrëfimin parabolik nga një perspektivë animaleske në veprën “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin”

“Ka disa vite që e kam në fletoret e mia subjektin e kësaj parabole, me personazhe humane dhe animale, të cilët komunikojnë njëri me tjetrin si të mendonin njësoj, të kishin të njëjtat halle e të flisnin të njëjtën gjuhë. Por nuk kisha gjetur atë lidhjen e brendshme, që do të më lejonte ta përshkruaja natyrshëm gjithë këtë botë të gjallë si një ‘fis’”, thotë autori, ndërsa përfundon se këtë mjeshtëri ia ka dhënë konteksti i pandemisë.

Kurse në atë se a mund të konsiderohet kjo vepër si vepër e pandemisë, Mustafaj thotë se “mund të quhet në kuptimin e pasojave që prodhon në psikikën njerëzore mbyllja e detyrueshme dhe frika kolektive nga vdekja, domethënë nga asgjësimi”.

“366 rrëfenja për të ndjellur gjumin”, në relacion me romanet e mëparshme të Mustafajt

Autori thotë se këtë vepër nuk e sheh si ndërrim kursi nga veprat e tij të mëhershme, por se “përpiqem gjithmonë që në çdo roman ta rishpik teknikisht veten për të shmangur përsëritjen, të cilën e shoh si shenjë të shterimit të asaj që joshkrimtarët e quajnë frymëzim”.

“366 rrëfenja për të ndjellur gjumin”, thotë Mustafaj, “është një pasurim i stilit tim dhe jo ndonjë farë ndryshim kursi”.

Planet për të ardhmen

“Kam në planet e mia edhe një subjekt tjetër, ku narratori është një gomar, i cili do të rrëfejë një histori tragjikomike. Nuk di kur do ta shkruaj këtë subjekt, në të cilin, shpresoj, do të mund t’i thelloj e t’i çoj përpara disa veti të stilit të shprehura në romanin që sapo u nderua me çmim e u botua te ‘Buzuku’”.

Mustafaj thotë se është krejt i rivitalizuar pas kësaj vepre dhe se po shkruan një libër me novela “pa asnjë ngjashmëri në subjekt e as në teknikë me romanin, për të cilin po flasim e që do të botohet vitin e ardhshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore