Shqipëria

365 gradët e Shqipërisë 2022


Nuk kishte ngjarë ndonjëherë që viti i ri për Shqipërinë, të hapej si një anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Por, viti 2022 e solli këtë gjë, si një ogur i mirë për gjithë çfarë do të pasonte në sferën diplomatike shqiptare, me hapjen e negociatave – zyrtarisht – për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si edhe me mbajtjen e një samiti historik mes vendeve të Ballkanit dhe BE-së, në Tiranë, jashtë kufijve të unionit.

Përtej nisjes së mandatit në Këshillin e Sigurimit në janar, në qershor të 2022-shit, Shqipëria mori edhe presidencën e organit të lartë ndërkombëtar, me një sërë mbledhjesh të suksesshme të mbajtura e rezolutash të hartuara.

Roli në tryezën e patkonjtë 15-she, mbart edhe një vlerë akoma më të madhe, kur delegacioni shqiptar ulet në të majtë të atij amerikan dhe në kauzën e ngjarjes së vitit, luftës në Ukrainë, të dy vendet janë bashkëpenëmbajtëse.

Më 19 korrik, pas një bllokimi të pakuptimtë të procesit të nisjes së negociatave me BE-në, për shkak të bllokimit të Maqedonisë së Veriut nga vetoja bullgare – duke penalizuar edhe Shqipërinë – procesit të anëtarësimit iu hap rruga sërish.

Tirana zyrtare mori statusin e vendit negociator nga vend kandidat, duke shënjuar një hap të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.

Shqipëria, prej dy vitesh ishte në pritje të një vendimi të tillë dhe në fakt, hapa përpara janë bërë edhe sa i përket stabilitetit të vendit në rajon, duke u kthyer kështu në lider rajonal për dialogun dhe paqen mes shteteve të tjera.

Mbi këtë, u shpërblye Tirana në fundvit edhe me mbajtjen e një samiti historik BE-Ballkan, në Tiranë, më 6 dhjetor, i cili mblodhi gjithë liderët evropian në kryeqytetin e shqiptarisë, për herë të parë jashtë kufijve të vetë unionit.

Në 2023-shin, edhe më shumë rëndësi mund të ketë një takim në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili sërish do të mbahet në Tiranë.

Raportet me Kosovën, po ashtu, kurrë nuk kanë qenë më të larta se në kohën e sotme.

Nuk ishin të mjaftueshme mbledhjet mes dy qeverive, duhej shtyrë edhe më shumë.

Ndaj, mbi këtë premisë, më 27 nëntor 2022, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe ai i Republikës së Kosovës, për herë të parë në histori, u mblodhën në një seancë të përbashkët plenare, simbolike për nga natyra, por me rëndësi të madhe politike për nga zhvillimi.

Dy shtete, me një komb që tregoi se kur duhet, mund të bëhet një.

Së brendshmi, jo edhe aq të qeta kanë qenë gjërat, mbi të gjitha në kampin e opozitës.

Partia Demokratike, për të shtyrë përpara qenien e saj, bëri një hap pas dhe rikthey në krye të saj Sali Berishën, i përcaktuar si non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në maj 2021, por i mbështetur nga strukturat e forcës së djathtë politike, të cilët bënë që Lulzim Basha, të kryente një harakiri politik.

E ndarë gjithsesi do të mbetej PD-ja edhe në këtë vit, me dy grupime të krijuara, me shumë dilema ende për të zgjidhur dhe me një vëmendje që duhet ta rikthejë për nga opozitarizmi kundër Qeverisë, së lënë krejtësisht në rehatinë e saj vitet e fundit.

Grushti i vetëm i dhënë, do të shkonte ndaj Berishës – jo figurativisht – realisht, i cili për të parën herë në 30 vitet e tija karrierë politike, u cenua fizikisht gjatë një tubimi.

Figura më e lartë shtetërore e vendit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, duhet të zëvendësohej po ashtu këtë vit, me përmbylljen e mandatit të tij në korrik.

Bashkë me Metën, ndryshim duhet të pësonte edhe forca politike e qendrës, të cilën ai e pati drejtuar vitet përpara marrjes së postit të presidentit.

E trashëguar tek bashkëshortja, Monika Kryemadhi, LSI-ja u tkurr në katër mandate në parlament, nga 18 që kishte. Ajo tashmë Metës, i rrinte tejet e vogël.

Me një lëvizje të thjeshtë statutore, në pak ditë, u njohëm me Partinë e Lirisë, aleaten kryesore të PD-së në luftën kundër Qeverisë dhe foshnjën e re të Metës, për të parë se sa fuqi politike ai ende ka në politikën shqiptare.

Pasuesi i Metës në postin e kreut të shtetit, do të ishte një figurë e lartë ushtarake, si ajo e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shqiptare, Bajram Begaj, i cili me votat e shumicës vetëm, arriti të zgjidhej në raundin e katërt të votimeve si President i Republikës, pasi tre raundet e para u dogjën me asnjë kandidaturë të dhënë.

Në përcaktimin e kryeministrit të vendit, Edi Rama, institucionit më të lartë në Shqipëri, i ishte kthyer fytyra që i duhej: Një figurë përbashkuese, përtej politikës, përtej palëve.

Në korrik gjithsesi, Shqipëria do të tronditej nga një ngjarje, e cila e atillë, nuk ishte përjetuar ndonjëherë nga vendi.

Një sulm masiv kibernetik do të godiste portalin qeveritar e-Albania, serverët e Qeverisë si edhe institucione të tjera publike.

Me paqartësi të mëdha në fillim të ngjarjeve, në shtator u zbulua se kush fshihej pas sulmit.

Në mënyrë unilaterale, në një ndër përgjigjet më të ashpra të para ndonjëherë pas çështjeve të ngjashme, Shqipëria ndërpreu krejtësisht raportet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit më 7 shtator, pasi këta të fundit, kishin sulmuar vendin kibernetikisht, në një sulm që u quajt deri në terrorist.

Menjëherë pas këtij zhvillimi, erdhi edhe ndihma nga NATO dhe partnerët ndërkombëtarë, për të shtuar mbrojtjen informatike në vend.

Drejtësia domosdo duhet të mbetet çështja më e përfolur në Shqipërinë tranzicionale.

Zërin kryesor të luftës së Prokurorisë së Posaçme SPAK në 2022-shin, e zuri ngjarja lidhur me inceneratorët, ku në burg aktualisht gjenden një ish-ministër, ish-sekretar i përgjithshëm ministrie e zyrtarë të tjerë, me dhjetëra në kërkim ndërkohë.

Në pritje të gjykimit përfundimtar të tyre, SPAK-u bëri edhe ndryshimin e parë rrënjësor në tre vitet e punës, zgjedhjen e kreut të ri.

Me një situatë “konfliktuale” në distancë për zgjedhjen e kreut të ri, zgjedhjet shfaqeshin në dy spektre, me një kandidat të mbështetur nga kryeministri Rama e me një tjetër, të mbështetur nga pala amerikane dhe veçanërisht ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

Me pesë vota kundrejt katër, kjo e fundit prevaloi, duke përfunduar në zgjedhjen e Altin Dumanit, si numri një i ri i SPAK-ut.

Krimi edhe këtë rrotullim rreth Diellit ka zënë faqet kryesore, me aksione të mëdha si ai “Plumbi i Artë”, pas kapjes së të shumëkërkuarit Nuredin Dumani.

Zhdukja e Ervis Martinajt po ashtu ka qenë kapitull kyç, me fatin e tij që ende nuk dihet me siguri dhe pa një version zyrtar nga Policia e Shtetit.

Informacione, të cilat nuk kanë munguar në asnjë sekondë sa i përket emigrantëve të jashtëligjshëm shqiptarë drejt Britanisë së Madhe, duke u kthyer në kauzë përtej të mendueshmes dhe me një retorikë në kufijtë e të pranueshmes, nga zyrtarët më të lartë britanikë.

Me marrëveshje të reja në tavolinë dhe politika më të ashpra kthimi, ulja e numrit të tyre po kërkohet. Arritja e kësaj, duhet të shihet.

Me përfytyrimin e lirë – si ai i Lea Ypit në librin e saj, që rroku vëmendje botërore – mbyllet edhe një vit tjetër për Shqipërinë, me suksese të shumta ndërkombëtarisht, dështime të brendshme politikisht, apo letargji të përhershme në piketa të caktuara.

Në vijim, për t’u pritur është 23’-shi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore