Lajme

33 policë të sulmuar brenda tremujorit të parë të këtij viti – “po cenohet rendi dhe ligji në Kosovë”


Sipas të dhënave të Sindikatës së Policisë së Kosovës, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë sulmuar 33 zyrtarë policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Së fundmi – të shtunën e 2 qershorit, janë plagosur dy policë në Skenderaj në një pikë kontrolli, por janë jashtë rrezikut për jetë.

Njëri është i plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta.

Profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami, thotë për Albanian Post se Policia e Shtetit është mekanizëm për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

Ai konsideron që dhuna apo sulmi ndaj policëve siç ndodhi në Skenderaj, është e pa tolerueshme.

“Kështu që, secili nga ata që e kundërshton vendimin e policëve të Kosovës, ka mekanizma të tjerë ku mund të ankohet, sic është Inspektorati Policor i Kosovës. Policia e Kosovës është demokratike dhe e cila në forcë proporcionale njihet që asnjëherë ose shumë rrallë ndodh që të përdoret forca jo proporcionale, duke i përjashtuar rastet individuale”, tha Islami.

Islami thotë se raste të tilla e cenojnë rendin dhe ligjin, prandaj ai shton se “njëherë e përgjithmonë duhet ta dinë secili individ, qoftë kryetar shteti, gjykatës, prokuror, ministër apo kryeministër se të gjithë janë para ligjit njësoj dhe të gjithë duhet t’ju binden urdhrave të atyre që e zbatojnë ligjin”.

Megjithatë, ai kërkon që edhe policët të mundohen që ta menaxhojnë më mirë situatën, por edhe “të jetë këmbëngulëse dhe ligjzbatuesve kur është nevoja”.

Ndërsa njohësi i çështje të sigurisë, Drizan Shala, kritikon punën e gjykatave, pasi potencon se dënimet për ata që i sulmojnë policët janë të vogla.

“Në lidhje me situatën e krijuar në Kosovë, e cila ndërlidhet me një fenomen sulem ndaj personit zyrtar. Deri më tani me kjo pjesë e kësaj natyre në Kosovë është trajtuar në formën e një procedure standarte ligjore, por që rezultatet ndaj kësaj procedure nuk ka dhënë mesazhin e duhur”, ka theksuar Shala për AP.

“Pra, në këtë pikë ka dështuar sistemi i gjykatave të cilët nuk kanë shqiptuar dënim kapital me burgim dhe kështu do të kishte arritur veprimi i masës preventive në uljen e sulmeve ndaj personave zyrtar”.

Kush i sulmoi policët në Skenderaj?

Ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dyshohet se i sulmoi policët bashkë me familjarët e tij Faton Lushtaku dhe Arif Lushtaku.

Por, të hënën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ish-deputeti i PDK-së, ka thënë se “rrethanat e këtij rasti konsideroj se janë te montuara kundër meje dhe familjes time”.

“Me sa unë e di i kanë edhe dy mjete të tjera ose tri, nëse e sheh që po rrezikohet prej masës ose prej dikujt, e fundit është mundësia e përdorimit të armës, nga policët e tjerë e kam parë që kanë përdorur sprej”, shtoi ai.

“Çka kish ndodhë nëse edhe ata të gjithë i kishin nxjerrë revolet dhe na kishin drejtuar neve, kur është nxjerrë revolja ne jemi tut që po vritemi, mbasi që ka gjuajt polici me revole, secili veprim ka qenë i ndikuar nga frika e te shtënave, dhe për me ja hekë revolen mos me vra dikë”.

Sveçla: Policët duhet të jenë të paprekshëm

Sulm të paprovokuar dhe të rëndë ndaj institucionit të Policisë së Kosovës, e ka quajtur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, sulmin e ndaj dy zyrtarëve policorë në Skenderaj.

Policët duhet të jetë paprekshmërisht të papenguar, është shprehur ministri Sveçla në një reagim në faqen e tij në Facebook.

Mes tjerash, ministri u shpreh se pret që organet e drejtësisë të marrin masa, sipas ligjeve në fuqi dhe paekuivoke për sulmuesit.

“Sot publiku i gjerë në Kosovë ishte dëshmitar i një sulmi të paprovokuar dhe të  rëndë ndaj institucionit të Policisë. Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi”, shkroi ministri.

“Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e republikës. I uroj nga zemra shërim të shpejtë dhe të plotë dy policëve të plagosur sot. Do t’i vizitoj nga afër sapo të kthehem nga udhëtimi zyrtar në Bruksel.  Mbes i bindur se nuk ka asgjë që mund t’i zmbraps ata dhe kolegët e tyre nga misioni që ia jep detyra e vullneti”, shkroi mes tjerash ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore